Maqedoni
Zhernovski: Meritojmë fillimin e bisedimeve me BE-në. Shinkovski: Shpresoj për një vendim të mirë për RMV-në
13.05.2019 17:13
Së fundmi vendi ka bërë hapa konkretë sa u përket integrimeve, prandaj pritet që Brukseli...

Së fundmi vendi ka bërë hapa konkretë sa u përket integrimeve, prandaj pritet që Brukseli përfundimisht të shpall datën e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kështu deklaroi zëvendësministri i jashtëm, Andrej Zhernovski, sipas të cilit ky proces do të varet edhe nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Maqedonia e Veriut për një periudhë të shkurtër e dëshmoi se është një model i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor dhe se ne nuk duam të bisedojmë për konflikte të ngrira, por dëshmuam se ekzistojnë zgjidhje dhe ato konflikte i shndërruam në miqësi. Kuptohet se ai vendim nuk varet vetëm nga ne, por varet edhe nga rrjedha e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian. Megjithatë, presim fitore të forcave pro-evropiane, të cilat punojnë në bashkimin dhe unifikimin e kontinentin. Ashtu që presim që do të marrin datë për fillimin e bisedimeve”,- tha zëvendësministri i jashtëm, Andrej Zhernovski.
Edhe homologu i tij nga Polonia, Shimon Shinkovski, thotë se janë pjekur kushtet që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet me BE-në.
“Unë mendoj se perspektivat janë shumë optimiste, por ajo nuk është vetëm një vendim i imi, nuk është vendim i vetëm një vendi, por është një vendim i më shumë vendeve apo partnerëve. Unë shpresoj për një vendim të mirë që do ta afronte Maqedoninë e Veriut drejt BE-së. Mendoj që nuk duhet të presim shumë për këtë”,- tha zëvendësministri i punëve të jashtme i Polonisë, Shimon Shinkovski.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE ishte pikërisht temë e diskutimit në forumin “Gabimet e së kaluarës, mësime për të ardhmen”, të organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.
Kryetari i këtij instituti, Marko Trashanovski, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë nga procesi i Berlinit, pasi që i njëjti inkurajon Ballkanin Perëndimor të bashkëpunojë në më shumë sfera dhe ndihmon në integrimin më të shpejtë dhe efikas.
ERSAN PAJAZITI
