Maqedoni
Enti Hidrometeorologjik: Deri të premten do të kemi mot me shi
13.05.2019 16:57
Enti Hidrometeorologjik bën të ditur se i gjithë territori i vendit deri të premten do të jetë....

Enti Hidrometeorologjik bën të ditur se i gjithë territori i vendit deri të premten do të jetë i përfshirë nga reshje intensive të shiut dhe erë me intensitet të lartë. Në disa pjesë të vendit do të ketë edhe breshër.
“Këtyre ditëve deri të premten do të kemi mot me lagështi me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Pritet të kemi reshje prej 50 deri 70 litra për metër katrorë. Në të gjitha ditët do të kemi mot jostabil, me reshje dhe bubullima, në tërë vendin”,- deklaroi Dushanka Tanushevska nga Enti Hidrometeorologjik.
Pas njoftimeve se vendi do të përfshihet nga reshje më intensive, Qendra për Menaxhim me Kriza e ka njoftuar pushtetin lokal, duke kërkuar marrjen e masave preventive, për të parandaluar bllokimin e kanalizimeve dhe vërshimin e lumenjve.
“Kjo nënkupton kontrollimin e shtretërve të lumenjve, rrjetin e kanalizimeve, si dhe objektet e tjera, që të vërtetohet nëse ato mundësojnë tërheqjen e ujit. Gjatë ditës së djeshme disa komuna kanë thirrur shtabet e tyre për menaxhim me kriza dhe kanë ndërmarrë disa masa”,- tha Nadica Vckova nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” bën të ditur se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm që sistemi atmosferik për shkarkimin e ujërave të funksionojë pa pengesa. Ndërsa nga Shtabi për Menaxhim me Kriza apelojnë te qytetarët që në raste rreziku për shkak të motit të keq, të paraqiten në numrin e telefonit 195.
VLORA LATIFI TOPOJANI
