Maqedoni

“Fshesa” e Zaevit, Osmani: Fati i shtetit më me rëndësi se fati i individëve

14.05.2019 13:53

Ndryshimet në ekzekutiv të paralajmëruara nga kryeministri Zaev....

Ndryshimet në ekzekutiv të paralajmëruara nga kryeministri Zaev, ende nuk janë diskutuar mes dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit. Kjo temë pritet të diskutohet në takimin e parë mes liderëve të BDI-së dhe LSDM-së, Ali Ahmetit dhe Zoran Zaevit, sapo ky i fundit të kthehet nga pushimi. Por, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, thotë se fati i individëve të caktuar në ekzekutiv është “i parëndësishëm” krahasuar me periudhën e rëndësishme në të cilën gjendet vendi ynë aktualisht. 
 
“Ka çështje më të mëdha se fati individual i çdo njeriu, madje edhe i të gjithë qeverisë. Kemi para çështjen më historike për shtetin, jemi në hapat e fundit të një maratone 20 vjeçare dhe vërtet nuk guxojmë që këtë temë ta ulim në nivelin e pyetjeve se ku do të shkojnë një pjesë e funksionarëve. Ju e dini që kryeministri nuk ka qenë këtu këto ditë, sapo të kthehet në takimin mes dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit do të diskutohet edh kjo çështje”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Angjushev: Kompetencë e kryeministrit, unë jam i relaksuar
 
Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev, është tërësisht i relaksuar sa i përket ”fshesës” së paralajmëruar. Angjushev thotë se ndryshimet në ekzekutiv janë ekskluzivisht kompetencë e kryeministrit. 
 
“Është nder por gjithashtu edhe mund që  të jesh pjesë e Qeverisë. Unë mund t’ju them lirisht se të gjithë ata të cilët marrin funksione shtetërore duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë do ta lënë të njëjtin. Unë jam i relaksuar tërësisht për këtë çështje, ajo është në kompetenca të kryeministrit”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
Ndryshimi i funksionarëve të caktuar jo vetëm në nivele të larta por edhe ata të niveleve më të ulëta të ekzekutivit që nuk e kanë kryer si duhet punën e tyre, u paralajmërua nga kryeministri si reflektim i asaj që ai e cilësoi mesazh i pranuar i qytetarëve pas rezultateve në rrethin e  parë të presidencialeve. 
 
REJHANE BUSHI METAJ