Maqedoni
Reformat në Administratë, Mançevski: Kërkojnë kohë, por do t’i çojmë deri në fund
14.05.2019 14:20
Reformimi i administratës nuk po jep rezultatet e shpejta të pritura nga qytetarët....

Ministri i resorit, Damian Mançevski, pranon se reformat në këtë sektor janë proces i vështirë që kërkon kohë. Por, ripërsëriti se reformat po edhe sistematizimi i të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit, janë në fazën e fundit. Potencoi se bëhet fjalë për probleme të grumbulluara për një periudhë 3 dekadëshe e që realisht asnjë qeveri nuk ka pasur guximin ta hapë. Por, gjithsesi reformimi është një proces që për disa sektorë mund të kërkojë një periudhë edhe më të gjatë, me rëndësi, sipas tij, është vendosmëria që reforma të çohet në fund.
“Diku kah fundi i vitit 2019 do t’i kemi rezultatet e para që do të shihen nga riorganizimi i tërësishëm i institucioneve. Bëhet fjalë për probleme që janë grumbulluar brenda këtyre 30 viteve dhe tani për herë të parë kjo qeveri ka vendosur t’i zgjidhë. Disa nga këto ndryshime mund të shihen tani, diçka deri në fund të vitit, e ka prej tyre që duhet të priten nga 4 apo 5 vite, sepse bëhet fjalë për procese të stërngarkuara. Për ata që rrinë në shtëpi dhe marrin paga, tashmë sqaruam se për qindra të tillë procedura ka përfunduar, ndërsa tani pas zgjedhjeve presidenciale fillon faza për të tjerët”,- deklaroi ministri i shoqërisë informative, Damjan Mançevski.
Sipas Mançevskit, në Ministrinë për Sistem Politik nuk parashihen punësime të reja, por do të merren nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Deklarata u dha pas konferencës “Digjitalizimi 2019”, nën organizim të Datalab dhe Odës Ekonomike për Teknologji Informatike dhe Komunikuese MASIT.
FITIM KRYEZIU
