Maqedoni
Shërbimi i ndihmës së shpejtë, Filipçe: 12 autoambulancat e reja, vetëm fillimi. Punësime të reja në ndihmën e shpejtë
14.05.2019 14:43
Ndihma e shpejtë është një ndër sektorët më problematikë të sistemit shëndetësor që gjatë kohë ka vuajtur mungesën e kuadrit...

Ndihma e shpejtë është një ndër sektorët më problematikë të sistemit shëndetësor që gjatë kohë ka vuajtur mungesën e kuadrit, por sidomos mungesën e autoambulancave.
Ministria e Shëndetësisë ka blerë aktualisht 12 autoambulanca të reja të blera përmes tenderit të nënshkruar që në dhjetor të vitit të kaluar.
Gjashtë autoambulanca do të jenë në shërbim të Ndihmës së Shpejtë të Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, kurse gjashtë të tjera do të shpërndahen në: Strugë, Dibër, Kërçovë, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Berovë.
Bashkë me to shërbimit të ndihmës së shpejtë do t’i vijnë në ndihmë edhe 8 veturat e siguruara nga Ministria e Bujqësisë, të cilat duhet të adaptohen si makina të ndihmës së shpejtë, por që njëherë me vendim të qeverisë duhet të kalojnë në kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ende nuk janë në kompetencë tonën. Veturat janë në gjendje solide, ndërkaq nuk do të shfrytëzohen për punë në terren, por vetëm për transport të pacientëve. Përveç 12 veturave të reja, do të sigurohen edhe autoambulanca të tjera pasi ka ende mjete financiare të pashfrytëzuara të ndara për këtë qëllim”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sa i përket mungesës së kuadrit profesional në ndihmën e shpejtë, ministri Filipçe paralajmëron punësime të reja.
“Kemi probleme serioze edhe me kuadrin. Kemi mungesë të kuadrit mjekësor, sidomos infermierëve. Shumë shpejt do të shpallet konkurs për infermierë dhe për pranim të mjekëve të rinj, të cilët janë të licencuar dhe në këtë moment janë të papunë”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ende nuk dihet nëse shërbimi i ndihmës së shpejtë do të funksionojë në të ardhmen në bazë të partneritetit privato-publik. Analiza e fizibilitetit ende nuk është gati, sepse operatori ekonomik i ngarkuar për këtë analizë ka kërkuar shtyrje të afatit deri në qershor.
Vendimi do të merret pas shqyrtimit të analizës dhe ministri Filipçe paralajmëron edhe debat publik.
VLORA LATIFI TOPOJANI
