Faktoringu financiar, vetëm 60 kompani shfrytëzojnë mjetet e tilla

14.05.2019 15:02

Ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë shtylla kryesore e ekonomisë....

Ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë shtylla kryesore e ekonomisë, është e një rëndësie të veçantë. Faktoringu shihet si një mundësi e cila duhet të gjejë aplikim, u tha në konferencën e parë rajonale për faktoringun nën organizim të USAID-it.

Të pranishmit vlerësuan se shfrytëzimi i faktoringut si një mundësi alternative për financim mund të ndikojë dhe të përmirësojë likuiditetin e kompanive.

“Vlerësoj se mekanizmi, faktoringu financiar në shtetin tonë, nuk shfrytëzohet sa duhet dhe nuk është i zhvilluar. Para së gjithash për arsye të mosinformimit, por edhe të mungesës së kompanive të cilat e ofrojnë atë shërbim. Në BE rreth 10% nga BPV-ja janë mjete të cilat përfshihen me faktoringun, ndërsa në vendin tonë ajo matet me promilje apo është e parëndësishme”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.

“Nga fillimi i projektit, përfaqësuesit e më shumë se 400 kompanive mikro, të vogla dhe të mesme nga gjithë vendi, morën pjesë në trajnimet për zhvillimin e biznesit të cilën e mundëson faktoringu. Faktoringu ka potencial të madh të ndihmojë në rritjen e biznesit dhe ju ofron likuiditet kompanive, ndërsa nga ana tjetër i mundëson që të rrisin prodhimin, shitjen dhe të hyrat”,- tha përfaqësuesja e USAID-it në RMV, Gretchen Brikle.

“Faktoringu e ndihmon rritjen e ndërmarrjeve, duke i mundësuar qasje të lehtë deri te mjetet financiare dhe shpejtësisë së qarkullimit të parave të gatshme të firmave, nëpërmjet të cilës mundësohet zhvillim më efikas i tyre”,- tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.

Nga USAID njoftojnë se janë ndihmuar rreth 60 kompani në Republikën e Maqedonisë së Veriut të marrin financa nëpërmjet faktoringut. Sipas të dhënave në Ballkanin Perëndimor, faktoringu ka të hyra prej 500 milionë deri në 1.5 miliard euro, ndërsa në vitin 2017 në Greqi këto shërbime kanë arritur mbi 13 miliard euro. (Gazmend Kurtishi, TVM2)