Krimet serbe në Kosovë, së shpejti tribunal dhe muze për gjenocidin serb
Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës....

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës pritet të autorizojë themelimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë në periudhën 1998-99 dhe themelimi i Muzeut të Gjenocidit në Kosovë.
Seanca e jashtëzakonshme do të mbahet të enjten. Ministria e Drejtësisë në Kosovës tashmë ka nisur procedurat për plotësim të Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë.
“Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin tonë. Serbia dhe kryesit e krimeve do të përgjigjen për këtë gjenocid të kryer në Kosovë. Kjo është një iniciativë që populli i Kosovës e merr për hir të së drejtës dhe të vërtetës, nuk ka pajtim pa pasur dënim të gjenocidit”,- tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në mbështetje të kësaj nisme ka dalë edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili duke u përgjigjur për gazetarët në gjuhën serbe, ka thënë se drejtësia për viktimat nuk duhet të ishte pengesë për dialogun.
“Drejtësia nuk duhej të jetë pengesë për dialog. Në parim ajo duhet të sqarojë të kaluarën. Nëse dëshirojmë ardhmëri pa befasi, atëherë është mirë ta sqarojmë të kaluarën”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas autoriteteve, gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99, Forcat serbe kanë kryer 183 masakra. Por, zyrtarë serbë nuk besojnë se Bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë krijimin e një Tribunali që do të gjykojë krimet serbe në Kosovë.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se “paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Tribunali, që do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)
