Kërkesat e VMRO-së për Specialen, Janeva: Janë politike, me ligj nuk më ndërrojnë dot

14.05.2019 15:54

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, nuk dëshiron të komentojë kërkesën e VMRO-së opozitare....

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, nuk dëshiron të komentojë kërkesën e VMRO-së opozitare për shkarkimin e saj. I cilësoi kërkesat thjesht si politike dhe potencoi se punën e PSP-së e mbron ligji i cili nuk parashikon ndryshime kuadrovike për sa kohë që zgjat mandati i PSP-së. Kjo çështje, sipas saj, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë çështje diskutimi mes grupeve të punës së pushtetit dhe opozitës.

“Është një deklaratë politike, nuk ka bazë që të mund të komentohet në drejtim që të mbrohem ose akuzoj dikë. Nuk mund të më ndërrojnë. Si mund të më ndërrojnë? Me cilin ligj, në ligj nuk përmenden zgjidhjet kadrovike, nuk thuhet se ky person do të ndërrohet. Dihet se çfarë shkruan në ligj. Dua të them nëse jemi mjaftueshëm të arsimuar duhet ta dimë se ajo gjë nuk shkruhet në ligj”,- deklaroi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.

JANEVA: DO TË DREJTOJ PSP-NË DERI NË FUND TË MANDATIT

Janeva do të qëndrojë në krye të PSP-së deri në përfundimin e mandatit, pra deri më 15 shtator, por sqaron edhe se do të rikandidonte për një mandat të ri si prokurore speciale, sepse vlerëson se e ka treguar me punë se e meriton.

“Mandati im skadon në shtator, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike. Unë do të qëndroj deri në fund në krye të këtij institucioni, deri sa të mund të jem prokurore speciale, jo pse dua, por sepse vlerësoj se e meritoj që të jem në krye të këtij institucioni. Nëse do të ketë rizgjedhje të prokurorëve, që është diçka normale në një vend demokratik, unë do të konkurroj sërish për t’u bërë prokurore speciale”,- theksoi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.

Fati i PSP-së varet nga ecuria e bisedimeve mes pushtetit dhe opozitës. VMRO-DPMNE këmbëngul që me Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, të mbyllen lëndët e  procesuara para qershorit të vitit 2017. (Naim Ramadani, TVM2)