Maqedoni

Gjykimi për rastin “Monstra”, Murati: Nuk i kam parë të akuzuarit pranë liqenit. Mbrojtja e të akuzuarve: Po dëshmohet se u akuzuan personat e gabuar. Fetahi: Mund të dëgjojmë edhe 15 dëshmitarë njëherësh

14.05.2019 16:47

Vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve seanca e radhës për rastin “Montra”...

Dëshmitari i palës mbrojtëse, Ramadan Murati, këmbëngul se në ditën e vrasjes së pesëfishtë, asnjë prej të akuzuarve nuk ka qenë në afërsi të liqenit të Smillkovës dhe tregoi edhe orën kur janë larguar nga ara ku po punonte, sipas tij, me të akuzuarin, Fejzi Azirin.
 
Por, prokurorja speciale, Fatime Fetai, thotë se dëshmia e Muratit është kontradiktore me dëshminë e dhënë më 27 qershor të 2013, sidomos në aspektin kohor të largimit të tij nga vendi i ngjarjes dhe punëtorët që ka pasur të angazhuar. 
 
Dëshmitari tjetër, berberi Muhamed Arifi, dëshmoi se Agim Ismailoviq nuk ka pasur mjekër të gjatë, siç e përshkroi në seancat e kaluara dëshmitari i koduar “E1”. 
 
Për mbrojtjen, dëshmitë tregojnë qartë se janë akuzuar njerëzit e gabuar, madje shtrohet edhe pyetja nëse vrasja ka ndodhur vërtetë aty ku janë gjetur trupat.
 
“Për mua personalisht kjo deklaratë e dhënë sot hap pyetjen se a kanë qenë të vrarë ose jo djemtë e rinj atje te liqeni i Smillkovës, pasi që ky dëshmitar i ri ka qenë atje deri vonë në vendin e ngjarjes, që i bie disa minuta para vrasjes, që është shumë interesant që nuk ka parë ai asnjërin prej të akuzuarve që kishte dhënë më herët dëshmitari i koduar “E-1”. Ky dëshmitar ishte kategorik në dëshmitë e tij se as para e pas ditës së vrasjes nuk e ka parë asnjërin prej tyre”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
“Ne sot patëm dëshmitarin e dytë ku u vërtetua se Agim Ismailoviq nuk ka pasur mjekër të gjatë si cjapi”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
“Atë natë kur ka ndodhur vrasja, ditën e nesërme, gjegjësisht ditën e premte, ai ka shkuar në Strumicë dhe është marrë me blerjen e fidanëve për shalqi dhe kur është kthyer pasdite, rruga ka qenë e bllokuar dhe kjo tregon se deklarata e tij është më se saktë”,- tha familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari.
 
“Mollë sherri” shtesë ishte edhe numri i vogël i dëshmitarëve të ftuar nga mbrojtja. Fetai reagoi se në seancë mund të dëgjohen deri në 15 dëshmitarë nëse paraprakisht sigurohet dinamika e gjykimit dhe dëgjimit të tyre.
 
Po ashtu ajo reagoi edhe ndaj dëshmitarëve të rinj të mbrojtjes duke potencuar se nuk mund të dëgjohen dëshmi të reja pa mbaruar dëshmitarët paraprakë dhe pa u deklaruar paraprakisht për të njëjtat PSP dhe gjykata.
 
Por, mbrojtja e të akuzuarve këmbëngul se dëshmitarët e rinj që presin të dëshmojnë në seancat e radhës, mund të zbulojnë detaje të reja, që do të tregojnë pafajësinë e të akuzuarve parësorë. 
 
REXHEP QAMILI