Maqedoni

Negociatat për PSP-në, VMRO-DPMNE kërkon “kokën” e Janevës

14.05.2019 17:43

VMRO-DPMNE, veç kërkesës për projekt ligjin për Prokurorinë Publike, i cili rregullon edhe statusin e Speciales...

VMRO-DPMNE, veç kërkesës për projekt ligjin për Prokurorinë Publike, i cili rregullon edhe statusin e Speciales, kërkon edhe “kokën” e kryeprokurores speciale, Katica Janeva.
 
Specialja nuk përmbushi pritshmëritë e opinionit dhe u shndërrua në dorë të zgjatur të pushtetit për përndjekje politike, vlerëson partia e Mickovskit.
 
“Prokuroria Publikë Speciale nuk i plotësoi pritshmëritë e opinionit. U bë dorë e zgjatur e LSDM-së dhe pushtetit për përndjekje politike kundër opozitës, para së gjithash kundër VMRO-DPMNE-së. Mendoj se nuk ka asnjë arsye që Katica Janeva të mbetet në krye të atij ekipi në Prokurorinë Publike Speciale”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Veç kësaj, VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi juridike nga Janeva dhe ekipi i saj, siç thonë, për veprime si akuzues i paautorizuar, konform Ligjit që punon PPS. 
 
Më herët, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së në grupin punues, deputeti, Antonio Milloshovski, tha se përveç Katica Janevës pushteti ka disponim për zgjidhje të tjera kadrovike.
 
Por, një gjë të tillë e mohoi vetë Janeva.
 
SHPËTIM NUREDINI