BALLKANI
Cikloni “Simeona” kaploi Ballkanin
02.09.2014 17:42
Cikloni “Simeon” e ka kapluar tërë Ballkanin. Era e fuqishme, shiu i rrëmbyeshëm me breshër e karakterizoi fillimin e shtatorit në rajonin ballkanik, përfshirë edhe Maqedoninë...

Reshjet e shiut, të cilat kanë zgjatur pothuajse gjatë gjithë ditës me disa ndërprerje të kohëpaskohshme, kanë shkaktuar kaos nëpër disa rrugë të kryeqendrës, por edhe në Tetovë dhe qytete tjera të vendit. Kjo ka shkaktuar vështirësi te qytetarët, të cilët në ato momente janë gjendur jashtë shtëpive të tyre.
Sasitë e mëdha të ujit të grumbulluar kanë shkaktuar bllokimin e komunikacionit në Shkup, konkretisht në rrugën që çon drejt Jahjapashës, në rrugën e Plastikëve, si dhe bulevardin “Goce Dellçev”.
Ekipet e zjarrfikësve, ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, si dhe “Higjiena komunale” dolën në teren menjëherë pas reshjeve të para të shiut, me qëllim të riparimit të dëmeve, si dhe pastrimit të rrugëve nga uji i grumbulluar dhe rrebeshi i shkaktuar.
Në Bosnjë-Hercegovinë, lajmërimi i kohës së keqe është në fazën e verdhë, ndërsa Kroacinë e ka kapluar faza e kuqe e vërshimeve.
Në Serbi, gjithashtu kishte reshje të mëdha dhe të pandërprera të shiut me stuhi.
Vërshimet e mëdha dje kapluan brigjet e detit Adriatik dhe meteorologët nuk parashikojnë ndërprerje të reshjeve ditëve në vijim.
Në Kroaci, këtë mëngjes stuhia “Simeon” solli breshër dhe akull si në dimër.
Stuhia është ndjerë kryesisht në Dalmaci, ku shiu dhe breshëri kanë shkatërruar prodhimet bujqësore.
Edhe pse për sot ishte njoftuar një stuhi e fortë në bregdetin kroat, banorët e lokalitetit Dërnish kanë qenë të habitur nga pamja që kanë parë, pasi rrugët dhe oborret ishin të mbuluara me akull si të ishte dimër.
HAMIDE IBRAIMI
