Maqedoni

Kadriu: përgjegjësi për mospërpilimin e aktgjykimit

02.09.2014 17:44

Mosrespektimi i afatit ligjor prej gjashtëdhjetë ditësh për përpilimin e aktgjykimit në formë të shkruar në rastin “Monstra”...

Mosrespektimi i afatit ligjor prej gjashtëdhjetë ditësh për përpilimin e aktgjykimit në formë të shkruar në rastin “Monstra”, bart më vete përgjegjësi për trupin gjykues, por edhe për tërë sistemin gjyqësor, thotë eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Kjo është një dukuri e rëndë për gjyqësorin, ndërsa pasojat në këtë rast shfaqen te të akuzuarit. Duke pasur parasysh se vendimi nuk është i plotfuqishëm, ata ende janë në statusin e të paraburgosurve, por duke marrë parasysh kohëzgjatjen e paraburgimit, ai paraburgim tanimë shndërrohet në vuajtje të dënimit, thotë Kadriu.  
                                                                        
“Ligji tek ne është shumë decid kur thuhet se: Në qoftë se kryetari i kolegjit në afatin ligjor nuk e përpilon vendimin në formë të shkruar, ai shumë shpejt duhet të njoftojë kryetarin e Gjykatës, kryetari i Gjykatës pastaj i merr masat e mëtutjeshme, duke i dhënë propozime konkrete gjykatësit se si dhe çka duhet të vepron. Nën dy: gjykatësi mund të ketë raste dhe ka raste në praktikë ku nuk mund të përpilon vendimin në afatin ligjor, por edhe aty është Ligji decid, duhet të ekzistojnë rrethana objektive, p. sh. rast sëmundje. Dhe nën tre: nëse në rastin konkret nuk ka arsye dhe fakte relevante për arsyetimin se pse nuk e ka përpiluar aktin në afatin ligjor, atëherë duhet të njoftohet Këshilli Gjyqësor dhe ai është kompetent t’i ndërmerr masat e përgjegjësisë”- deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.
Osmani sqaroi se ministri i Drejtësisë ka bazë për kërkimin e përgjegjësisë ndaj gjykatësit në këta rast.
 
“Ministri i Drejtësisë ka shumë kompetenca edhe në këtë lëmi, ai së pari është ministër i Drejtësisë, që nënkupton ministër i tërë jurisprudencës, ndërsa organi më i rëndësishëm këtu është gjyqësori. Ai natyrisht se mund të involvohet në procedurë dhe të kërkon përgjigje se pse lënda nuk shqyrtohet, gjegjësisht nuk është përpiluar vendimi që tu dërgohet palëve. Edhe me rregullativën e tashme, ministri i Drejtësisë akoma figuron anëtar i Këshillit Gjyqësor pa të drejtë vote, por edhe nëpërmjet këtij organi, ministri i Drejtësisë ka kompetencë të kërkojë sqarim dhe përgjigje”- theksoi Kadriu.
 
Kjo mospërgjegjësi nga Gjykata, sipas Kadriut, dëshmon se kemi të bëjmë me një krizë morale te gjyqësori dhe nëse nuk ushtrohet përgjegjësia, kjo dukuri do të vazhdojë të paraqitet edhe më tej në gjyqësor, vërejtje këto që janë prezente edhe në raportet e Komisionit Evropian.
 
FLORIJE KAMBERI