5 të vdekur në aksidentin në Draçevë, Prokuroria: Vetura udhëtonte në korsi të kundërt
5 viktima është bilanci i tragjedisë së mbrëmshme...

5 viktima është bilanci i tragjedisë së mbrëmshme në aksidentin tragjik të ndodhur 15 minuta para mesnate në hyrje të lagjes Draçevë.
Sipas dëshmitarëve, deri tek aksidenti ka ardhur kur makina e tipit “Renault 5” nga arsye të panjohura, ka dalë në korsinë e kundërt të rrugës dhe është përplasur me kamionin për bartjen e mbeturinave.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 23:40. Shoferi i veturës me inicialet J. P. dhe katër bashkudhëtarët të tij S. N., A. T. (54), E. T. (37) dhe I. A. (40) të gjithë nga Shkupi, kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Shoferi që drejtonte kamionin e “Higjienës Komunale” ka marrë lëndime serioze dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, ku është mbajtur për kurim të mëtutjeshëm.
Hetime në vendngjarje kanë kryer ekipe të Prokurorisë Publike dhe MPB-së së Shkupit.
“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pesëmbëdhjetë minuta para mesnate, kur makina “Reno 5” me targa të Shkupit, në të cilën kanë qenë viktimat, nga arsye të panjohura ka dalë në korsinë e kundërt dhe ka goditur drejtpërdrejt kamionin që transporte mbeturina. Nga lëndimet, të gjithë udhëtarët në veturë kanë humbur jetën, tre burra dhe dy gra”,- konfirmojnë nga Prokuroria Publike.
Trupat e viktimave janë dorëzuar për obduksion dhe po bëhet edhe ekspertizë teknike për të vërtetuar arsyet e aksidentit. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
