Festivali Europian i Këngës, zgjidhen dhjetë finalistët e parë
Spektakël, muzikë dhe shumë argëtim ka përcjellë nata e parë e Festivalit Europian të Këngës....

Spektakël, muzikë dhe shumë argëtim ka përcjellë nata e parë e Festivalit Europian të Këngës që po zhvillohet në Tel Aviv të Izraelit, e që sivjet mbahet me moton “Guxo të ëndërrosh”.
Fituesja e vitit të kaluar, Netta, hapi shfaqen me një variant të ri të këngës së saj “Toy” (Kukulla), duke ndezur atmosferën për orët në vazhdim. Përveç këngëve konkurruese, në festival performoi gjithashtu dhe një tjetër fituese izraelite e Eurovizionit, Dana International.
Festivali këtë vit prezantohet nga Erez Tal, Assi Azar, Lucy Ayoub dhe supermodelja e njohur, Bar Rafaeli. Dhjetë finalistët nga nata e mbrëmshme janë Greqia, Bjellorusia, Serbia, Qipro, Estonia, Republika Çeke, Australia, Islanda, San Marino dhe Sllovenia.
Eurovizioni këtë vit, përveç se u transmetua në të gjitha kanalet televizive publike europiane, gjithashtu u ndoq drejtpërdrejt dhe në kanalet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë dhe Kinës – duke kapur shifrat rekord të mbi 200 milionë shikuesve.
Nata tjetër gjysmëfinale do të transmetohet më 16 maj, si gjithmonë, në Servisin Publik, nën komentimin e gazetares, Fjolla Telai.
