Maqedoni

Takim Ahmeti-Rejçel

02.09.2014 17:47

Marrëdhëniet ndëretnike, procesi eurointegrues dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit kanë qenë tre çështjet kryesore për të cilat kanë biseduar...

Marrëdhëniet ndëretnike, procesi eurointegrues dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit kanë qenë tre çështjet kryesore për të cilat kanë biseduar zyrtari i lartë i diplomacisë gjermane, Ernest Rejkëll dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm në Reçicë të Vogël, i cili po realizohet menjëherë pas Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
 
Gjatë takimit, Ahmeti ka përshëndetur angazhimin që Gjermania ka ndërmarrë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në procesin eurointegrues, veçanërisht Maqedoninë.
 
Integrimi në NATO mbetet prioritet i BDI-së, tha Ahmeti, por nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të braktisë koalicionin qeveritar po qe se Maqedonia nuk merr ftesën për anëtarësim në Samitin e NATO-s në Uells, siç paralajmëroi, pas formimit të Qeverisë.
 
“Për Maqedoninë nuk ka nevojë që të thirret Samit i veçantë, sepse Maqedonia ftesën mund ta marrë në çdo kohë dhe kjo do të varet nga zhvillimet që do të ndodhin në mes të palës greke dhe palës tonë këtu. Sa më parë që të zgjidhet problem i emrit, aq më afër marrjes së ftesës ne do të jemi. Intensivisht punojmë me miqtë tanë, që e tha edhe drejtori, që një nga temat ka qenë edhe çështja e emrit dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë që Gjermania luan një rol mjaft të fortë, me qëllim që të na ndihmojë që sa më parë të gjendet ky kompromis”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Ballkanin në Ministrinë për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Ernest Rejkëll edhe një herë konfirmoi mbështetjen miqësore dhe angazhimin në praktikë për të lëvizë Maqedoninë përpara në procesin eurointegrues.
 
“Njëra nga temat kryesore ishte marrëdhëniet ndëretnike, tema tjetër kryesore ishte afrimi evropian i vendit tuaj,  si dhe zhvillimet brenda vendit që kanë të bëjnë me këtë. Në fund të fundit kuptohet edhe çështja e emrit. Edhe këtu edhe në Shkup kishim biseda të hapura, ku i diskutuam këto tema. Bisedimet u zhvilluan në frymën e miqësisë dhe të angazhimit. Kjo frymë karakterizon edhe politikën e jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë sa i përket vendit tuaj”- theksoi drejtori i Drejtorisë për Ballkanin në MPJ të Gjermanisë, Ernest Rejkëll.
 
Vizita e diplomatit të lartë gjerman, Rejkël, është në vazhdën e ofanzivës diplomatike që ka ndërmarrë Gjermania për të lëvizur përpara drejt BE-së rajonin e Ballkanit Perëndimor.
 
SHPËTIM NUREDINI