Maqedoni
Popovski: Interesimi gjerman, oksigjen për rajonin
02.09.2014 17:49
Deri më tani, vetëm Greqia zyrtarisht ka reaguar se nuk është e kënaqur nga përfundimi i Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor...

Sa i përket kontestit të emrit, sërish kthehet kualifikimi se ai është një problem bilateral, i cili duhet sa më shpejt të zgjidhet.
Pas Samitit, Gjermania paralajmëroi rol aktiv për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Ndërkohë, ministri Popovski tha se interesi i Gjermanisë është oksigjen për rajonin, në veçanti pas skepticizmit ndaj BE-së dhe zgjerimit të saj.
Ka pajtueshmëri se BE-ja nuk do të pranojë anëtare të reja në këtë dekadë. Por, ekziston vetëdija se lënia e Ballkanit të punojë kokë në vete nuk është zgjidhje e mirë dhe bart rreziqe.
Oferta ka të bëjë me reforma, infrastrukturë dhe luftë për zhvillim me përkrahje nga Brukseli dhe interes nga Berlini, Vjena dhe Parisi.
Sa i përket kontestit të emrit, Popovski thotë se për këtë çështje shkelen disa principe dhe vlera, në bazë të të cilave është e ndërtuar BE-ja, siç është sundimi i së drejtës ndërkombëtare.
Ne nuk kemi pretendime ndaj Greqisë,e as që duam të dëmtojmë në asnjë mënyrë. Interesi ynë është të jemi bashkë në BE dhe të ndërtojmë partneritet afatgjatë.
Ne jemi të përgatitur për bisedime dhe për gjetjen e zgjidhjes. Por, te fqinjët tanë mungon motivimi dhe vullneti për dialog të argumentuar.
Vendet pjesëmarrëse u pajtuan se kontesti duhet urgjentisht të zgjidhet me vullnet për kompromis të palëve të përfshira në të.
Shtetet duhet të përdorin edhe ndikimin pozitiv të fqinjëve për tejkalimin e sfidave të brendshme politike u tha në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
FLUTURA LATIFI
