Kulturë

Festivali Europian i Këngës, gjysmëfinalja e dytë, sonte në orën 21:00 në TVM2

16.05.2019 12:27

Tanimë i kemi dhjetë finalistët e parë. Ka mbetur edhe pak kohë për gjysmëfinalen e dytë....

Tanimë i kemi dhjetë finalistët e parë. Ka mbetur edhe pak kohë për gjysmëfinalen e dytë, në prapaskenë të gjithë këngëtarët përgatiten për performancën e sotme. TVM 2 vizitoi Jonidën teksa bëhej gati për gjysmëfinalen e dytë. 
 
“Ndjehem shumë mirë, e karikuar me energji. Më e rëndësishme është që kam një skuadër shumë të mirë. Duam ta përfaqësojmë denjësisht vendin tonë, këngën me të gjithë komponentët e saj, me elementet e të kënduarit, interpretuarit, stilin. Pastaj finalja është një formë llotarie, të shkojë më i miri. U uroj suksese të gjithë kolegëve. Nëse kemi fat do ta gëzojmë finalen, nëse jo sërish do të festojmë”,- deklaroi përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, Jonida Maliqi.
 
Maqedonia Shqipërinë zakonisht e nderon me 12 pikët e televotimit, besojmë se edhe këtë radhë do ta nderojmë Jonidën me 12 pikë. 
 
“Faleminderit. Unë kam një super marrëdhënie me Tamarën. I uroj shumë suksese këngës “Proud”, Tamarës dhe gjithë stafit. Ju meritoni më së shumti të jeni në finale pas kaq vitesh”,- theksoi përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, Jonida Maliqi.
 
Shqipëria garon e 14 sonte. Ju mund të votoni për Jonida Maliqin dhe këngën “Ktheju tokës” duke telefonuar në 149114, ose duke dërguar sms në 149101 me përmbajtjen 14. TVM 2 i uron suksese gjithashtu edhe Tamara Todevskës me këngën “Proud”, e shpresojmë edhe Maqedonia të na bëjë të gjithëve krenarë sonte me këtë këngë me një mesazh kaq të fuqishëm, atë të të qenit krenar me vetveten, e sidomos krenar me të qenit femër. 
 
AVNI QAHILI