Maqedoni
PRDM: Po ngec implementimi i Ligjit për gjelbërim urban. Ministria e Ambientit: Po përgatitet rregullorja për gjelbërim urban
16.05.2019 14:38
Një vit pas miratimit të Ligjit për gjelbërimin urban, implementimi i ligjit po ngec, vlerësojnë nga Partia për Ripërtëritje Demokratik, si parti e gjelbër.....

Në konferencën me temë “Si ta gjelbërojmë urbanizmin”, nga kjo parti njëherit theksuan se pengesë për implementimin e ligjit është mosmiratimi i akteve nënligjore.
“Një vit pas miratimit të tij nuk është i mjaftueshëm implementimi i Ligjit për gjelbërimin urban, atë që e presim ne është të intensifikohet implementimi, para së gjithash në miratimin e akteve nënligjore. Këtu rol kryesor do të kishte rregullorja për gjelbërimin urban. Po ashtu kërkojmë harmonizimin e Ligjit për planifikim urbanistik me Ligjin për gjelbërim urban”,- tha Maja Moraçanin nga PRDM.
Nga Ministria e Ambientit bëjnë të ditur se rregullorja për implementimin e Ligjit për gjelbërim urban është në përgatitje e sipër dhe pritet të miratohet së shpejti.
“Për shembull, në kuadër të planit gjeneral urbanistik, siç thotë ligji dhe tani konfirmon edhe rregullorja për gjelbërim urban duhet të përgatitet strategji për zhvillim të gjelbërimit. Me këtë strategji do të sigurojmë që në qytetet ku kemi hapësira të ndotura, ku nuk ka filtrim të mjaftueshëm të përpiqemi të krijojmë gjelbërim të ri, ta zgjerojmë hapësirën e gjelbër ekzistuese në hapësira të degraduara, t’i pastrojmë deponitë e egra, të punojmë në uljen e ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e mikro klimës së qytetit”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Ambientit, Ana Petrovska.
Po ashtu rregullorja e re parasheh që për objektet e reja para se të sigurohet leje për ndërtim, të dëshmohet se në nivel të parcelës së ndërtimit, 20% e saj të jetë paraparë si sipërfaqe e gjelbër.
REJHANE BUSHI METAJ
