Maqedoni

Qeveria, paga më të larta për 2899 të punësuar në kulturë

16.05.2019 16:24

Të punësuarit në institucionet e kulturës, pagën e muajit prill do ta marrin me rritje.....

Kështu deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, sipas të cilit, Qeveria në mënyrë plotësuese do të vendos për 20 për qind të punëtorëve nga sfera e kulturës që nuk janë të përfshirë me këtë masë.
 
“2899 persona të punësuar në sferën e kulturës do të ketë rritje të pagave, duke filluar nga paga e muajit prill. Me këtë masë janë përfshirë të punësuarit në kulturë në institucionet lokale në sferën e kulturës”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Boshnjakovski po ashtu paralajmëroi se Ministria e Kulturës po përgatit ligj të ri për interesin publik në kulturë, i cili do të jetë në pajtueshmëri me Ligjin për administratë publike dhe i njëjti do të mundësojë nivelizimin e rrogave. Sa i përket progresit ekonomik, Boshnjakovski informoi për evaluimin e ofertave për ndarjen e koncesioneve për hidroelektrana të vogla. Sipas tij, Qeveria dha dritë jeshile për 22 hidroelektrana, ndërsa tre oferta u refuzuan sepse bëhet fjalë për rajone të cilat janë të mbrojtura me ligj dhe me ndërtimin e tyre do të dëmtohej mjedisi jetësor.
 
FLUTURA LATIFI