Maqedoni
Princi Eduard për vizitë në RMV. Pendarovski: Vizita, konfirmim i lidhjeve të forta. Zaev/Eduard: Partneriteti do të vazhdojë. Dimitrov: Vizita, dëshmi për marrëdhënie të mira
16.05.2019 16:33
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur princin Eduard, grofin e Veseksit...

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur princin Eduard, grofin e Veseksit, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend.
Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit, vizitën e tij Pendarovski e ka cilësuar si konfirmim të lidhjeve të forta mes dy vendeve.
Ai e ka njoftuar princin Eduard me prioritetet e punës së tij në pesë vitet e ardhshme, me qëllim sigurimin e progresit të gjithëmbarshëm të vendit dhe realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit - anëtarësim në BE dhe NATO.
Pendarovski ka theksuar nevojën e përmirësimit të perspektivave për të rinjtë përmes bursave të studentëve dhe hulumtuesve, progresin teknologjik të shtetit përmes iniciativës së të rinjve, me qëllim pengimin e ikjes së trurit nga vendi.
“Në takim, princi Eduard ka shprehur kënaqësinë e mundësisë për herë të dytë të vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe presidentit Pendarovski ia uroi marrjen e funksionit, duke i dëshiruar sukses në punën e tij”,- thuhet në komunikatën e kabinetit të presidentit.
Princin Eduard e takoi edhe kryeministri, Zoran Zaev, i cili mori pjesë në darkën solemne që u organizua me rastin e vizitës së princit.
Në darkë, siç qëndron në kumtesën e pres shërbimit qeveritar, kryeministri Zaev dhe princi Eduard u ndalën në biseda të shkurtra me mysafirët, një pjesë të bursistëve të programit akademik Çivning të Britanisë së Madhe, përfaqësues të organizatave të cilat punojnë me fëmijë dhe të rinj, përfaqësues të gjeneratës më të re të sipërmarrësve të bashkësisë së biznesit, përfaqësues të organizatave me programe për të drejta të njeriut, si edhe përfaqësues të organizatave qytetare.
Princi Eduard, i shoqëruar nga ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, mori pjesë në Filarmoninë Nacionale të ngjarjes që duhet t’i tregojë lidhjet mes Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë së Veriut në arsim, mjedisin jetësor dhe art. Vizitën e tij ministri i jashtëm Dimitrov e cilësoi si dëshmi për marrëdhëniet e afërta midis dy vendeve.
“Një vërtetim që kemi marrëdhënie të afërta pas vizitës së kryeministres, Tereza Mej. Vitin e kaluar shënuam një të katërtën e shekullit të vendosjes së raporteve diplomatike, shumë i kemi të afërta vizionet edhe pse jemi vende të ndryshme edhe për nga madhësia edhe nga gjeografia”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Nikolla Dimitrov.
Kjo është vizita e dytë e Princit Eduard në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2006, ai kishte vizituar vendin tonë me rastin e hapjes së objektit të ri të Ambasadës Britanike në Shkup.
NAIM RAMADANI
