Maqedoni
“Lagja e Trimave” në Apel, të dënuarit kërkojnë hetim ndërkombëtar
16.05.2019 17:18
Me një minutë heshtje nga të akuzuarit në “Grupin e Kumanovës”, në një atmosferë të tensionuar, nisi seanca e sotme e Gjykatës së Apelit...

Me një minutë heshtje nga të akuzuarit në “Grupin e Kumanovës”, në një atmosferë të tensionuar, nisi seanca e sotme e Gjykatës së Apelit, në të cilën shqyrtohen ankesat e të dënuarve në rastin “Lagja e Trimave”.
Në fillim të seancës, i dënuari, Genci Sefa, në emër të të gjithëve, kërkoi një minutë heshtje për pjesëtarët e vdekur nga “Grupi i Kumanovës”, ndërsa më pas ai së bashku me të akuzuarit tjerë i kërkuan gjykatëses të flasë në gjuhën shqipe.
Ata kërkuan që të lexohet deklarata e përbashkët e “Grupit të Kumanovës”, nga ku kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin e tyre, por nga gjykata u paralajmëruan se janë në seancë publike e jo në gjykim, prandaj nuk u lejua një gjë e tillë. E për familjarët e të dënuarve është e padrejtë t’u mohohet të burgosurve të lexojnë një letër publike.
“Unë nuk munda ta kuptoj, por ata patën të drejtë, se i burgosuri ka të drejtë të lexojë një letër, ta dëgjojë ai gjyq, por nuk e morën ata, andaj doli nga kontrolli rasti. Ne presim sa më shpejt të na i lirojnë djemtë, sepse i kemi të pafajshëm”,- tha familjari i të dënuarve, Fejzulla Latifi.
Pasi gjykatësja nuk u lejoi të lexojnë letrën e përbashkët, i gjithë grupi lëshuan seancën ndërsa e njëjta vazhdoi vetëm me praninë e avokatëve të të dënuarve. Pala mbrojtëse shprehet e dëshpëruar nga vendimi i prokurorisë që të mos e ndryshojë aktakuzën për terrorizëm.
“Ne si palë me të vërtetë kemi pritur të ketë ndryshime, pasi nuk mund të bëhet fjalë për veprën e terrorizmit dhe për organizatë terroriste. Vetë definicioni i terrorizimit thotë që kur nuk janë civilët të kanosur, të lënduar, të vrarë, atëherë nuk mund të flitet për terrorizëm. Me këtë rast ju mirë e dini që civilët kanë qenë të mbrojtur nga grupi i armatosur”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Seanca në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, por pa praninë e të dënuarve.
Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në “Lagjen e trimave”, u gjykuan gjithsej 33 persona. Shtatë prej të cilëve morën burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet, gjashtë me 20 vjet, një me 18, dy me nga 14, dy të tjerë me nga 13, ndërsa edhe dy u dënuan me nga 12 vjet. Katër morën aktgjykime për lirim.
ZEKIRIJA MEXHITI
