Ekonomi
Forumi energjetik, Blum: ShBA-të përkrahin zhvillimin e sektorit energjetik. Zaev: Synojmë rritjen e investimeve të huaja. Derivatet e naftës, Angjushev: KRRE do të caktojë çmimin maksimal
16.05.2019 18:17
Kryeministri Zaev dhe ambasadorja e SHBA-së, Mikaela Shvajcer Blum, hapën Konferencën ndërkombëtare për energjetikë “Forumi Energjetik Maqedonas 2019”...

Kryeministri Zaev dhe ambasadorja e SHBA-së, Mikaela Shvajcer Blum, hapën Konferencën ndërkombëtare për energjetikë “Forumi Energjetik Maqedonas 2019”, me temë “Tranzicioni Energjetik në botë nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme dhe efikasitet energjetik”.
Ambasadorja Blum potencoi se ShBA përkrah fuqishëm zhvillimin e sektorit të energjetikës në vend dhe se teknologjia amerikane për sferën e energjetikës është e përshtatshme edhe për vendin tonë dhe për shumë vende në Europë.
“Teknologjia amerikane energjetike është inkorporuar në infrastrukturat më të rëndësishme energjetike në rajon dhe më gjerë në Europë. Shembull i tillë është edhe marrëveshja me Greqinë për import të gazit dhe në këtë drejtim e përshëndes bashkëpunimin tuaj me Greqinë dhe ndërtimin e interkolektorit për gaz natyror”,- tha ambasadorja e ShBA-ve, Shvajcer Blum.
Kryeministri Zaev tha se qëllimi i qeverisë është rritja e investimeve të huaja në sferën e energjetikës, si dhe rritja e burimeve energjetike të vendit.
“Tranzicionin efikas të vendit drejt konkurrencës ekonomike do ta zhvillojmë me konkurrencë ekonomike, rritje të konkurrencës në fushën e energjetikës, si dhe rritjen e burimeve të reja energjetike. Ndërtimi i sistemit të gazit po ecën në rrugën e duhur, janë tejkaluar problemet më të mëdha. Dje u informova nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve se duhet para shtesë për rritjen e investimeve kapitale në sektorin e tubacioneve të gazit. Në fazë finale është edhe procesi i lidhjes interkonektive me sistemin e gazit me Greqinë”,- u shpreh kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Ndërsa zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, bëri të ditur se edhe pse kompanitë e naftës vetë do ta përcaktojnë çmimin shitës të naftës, Komisioni Rregullator për Energjetikë do të përpilojë metodologji, me çka do të rregullojë çmimin maksimal, që kompanitë nuk guxojnë ta tejkalojnë në tregun e lirë.
“Kompanitë që do të merren me këtë biznes do të jenë të lirë që çmimet t’i përcaktojnë nën çmimin tavan, me qëllim të zhvillimit të tregut liberal dhe të konkurrojnë në treg, por megjithatë 80 për qind e shitjes së naftës me shumicë i takojnë vetën një furnizuesi”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
Angjushev beson se çmimet e naftës nuk do të rriten në vend nga masat qeveritare, por rritja mund të ndodh nga çmimi i naftës në treg botëror.
Gjithashtu në forum u theksua se me digjitalizim dhe me teknologji adekuate në të ardhmen do të thyhet dhe stereotipi sa i përket asaj se femrat janë të kufizuara që të punojnë në sektorin energjetik.
GAZMEND REXHEPI
