Botë

Kuvendi i Kosovës, partitë pro tribunalit për krime serbe

16.05.2019 18:50

Të gjitha subjektet politike në Kuvendin e Kosovës kanë përkrahur rezolutën për krijimin e tribunalit për gjenocidin...

Të gjitha subjektet politike në Kuvendin e Kosovës kanë përkrahur rezolutën për krijimin e tribunalit për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish regjimit shtetëror serb në Kosovë.
 
Flora Brovina nga PDK, para fillimit të seancës paraqiti para gazetarëve dëshmi për gjenocidin serb në Kosovës.  
 
“Ju e dini shkollën e Qirezit ku janë mbledhur gratë dhe janë dhunuar sistematikisht. Në mesin e tyre i kemi edhe disa të mbytura në puse… Ka edhe gra që kanë dëshmuar në Gjykatën e Hagës. Dhe njëra prej tyre tërë trupin e ka pasur me kryq të cilat ia kanë bërë dhunuesit, ushtarët serbë, me qëllim që ajo tërë jetën ta ketë shenjën në trup. Vajza ka qenë 17 vjeçare”,- tha Flora Brovina nga PDK.
 
Armend Zemaj në emër të grupit parlamentar të LDK-së tha se dënimi i krimit të gjenocidit dënohet edhe me konventat ndërkombëtare. 
 
“Duhet sa më pak fjalë e sa më shumë vepra për të rikthyer në vepra, atë që e kërkon bota demokratike, dënimin dhe gjykimin e të gjithë atyre që kanë kryer krime gjatë asaj periudhe”,- tha Armend Zemal nga LDK.   
                                       
Sami Kurteshi nga Vetëvendosje tha se teksti i rezolutës i referohet të gjitha raporteve ekzistuese që kanë të bëjnë me çështjen e krimeve të luftës.
 
“Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtën e njeriut dhe të drejtën humanitare, duke filluar nga karta e OKB-së, deklarata universale, protokollet e saj, statutet e tribunalit ndërkombëtar për krime lufte dhe të gjitha rezolutat e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së që kanë të bëjnë me këtë çështje”,- theksoi Sami Kurteshi nga VV.                           
 
Në linjë të njëjtë ishin edhe deputetët e grupeve tjera parlamentare, si AAK, PSD dhe Nisma, dhe grupi parlamentar “Gjashtë plus”, të cilët thanë se e mirëpresim këtë rezolutë që edhe pse e vonuar, do ta ketë drejtësinë e vonuar dhe do t’i zbusë sadopak vuajtjet e familjarëve.
 
Përpos themelimit të Tribunalit për krimet serbe në Kosovë në periudhën 1998-99, parashihet edhe themelimi i Muzeut të Gjenocidit serb në Kosovë.
 
Sipas autoriteteve të Kosovës, krahas dhunës së grave dhe burrave, gjatë luftës në periudhën 1998-99, Forcat serbe kanë kryer 183 masakra.
 
GYLTENE SINANI