Maqedoni
“Lagja e Trimave”, Apeli i shqyrton ankesat e të dënuarve
17.05.2019 11:22
Në Gjykatën e Apelit në Shkup, sot vazhdon seanca publike në të cilën duhet të shqyrtohen ankesat e 33 personave....

Në Gjykatën e Apelit në Shkup, sot vazhdon seanca publike në të cilën duhet të shqyrtohen ankesat e 33 personave të dënuar për këmbim zjarrin e përgjakshëm në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, në maj të vitit 2015, gjatë të cilit jetën e humbën 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë së shtetit dhe dhjetë anëtarë të grupit të armatosur, ndërkaq 30 persona u lënduan.
Seanca filloi me fjalët e palës mbrojtëse të të dënuarve, të cilët thonë se akuza për veprën penale “terrorizëm” ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Avokati mbrojtës, Milenko Millanov, tha se Prokuroria Publike është dashur të ngritë aktakuzën në bazë të fakteve dhe jo emocioneve. Aksioni policor i 9 majit të vitit 2015 në Kumanovë ka shkaktuar 18 viktima, por sipas avokatit Millanov, i ashtuquajturi “Grupi i Kumanovës” nuk ka ushtruar terror më parë, duke mohuar edhe uzurpimin e stacionit policor në Goshincë me arsyetimin se nuk është shkrepur asnjë plumb.
Në seancën e sotshme janë të pranishëm 3 të liruarit si të pafajshëm nga Gjykata Penale, ndërsa mungojnë të dënuarit nga “Lagja e Trimave”, pasi dje ata u përjashtuan nga salla. Seanca publike dje filloi në mënyrë të tensionuar, pasi që disa nga të akuzuarit kërkuan ta braktisin seancën, sepse, siç thanë në gjuhën shqipe, nuk e pranojnë gjykatën dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar.
