Maqedoni
Miratohen ndryshimet në Ligjin për Mediet, reagon SHGM
02.09.2014 18:30
Kuvendi ka miratuar sot propozim-ndryshimet e Qeverisë për Ligjin për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale...

Kuvendi ka miratuar sot propozim-ndryshimet e Qeverisë për Ligjin për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale, të cilat, sipas zëvendësministres për Shoqëri Informatike, Marta Arsovka-Tomovska, propozohen me qëllim të përmirësimit të kualitetit të Ligjit. Zëvendësministrja ka theksuar se me ndryshimet e reja, Qeveria do të kompensojë 50 për qind të harxhimeve për prodhimet vendase që do të bëjnë mediet.
“Me këto ndryshime do të përcaktohet vlera maksimale e pagesës së kompensimeve për prodhim të programit të tillë, të definohet puna e komisionit 7 anëtarësh, e cila do të vendos se si do të shpërndaj mjetet për këtë prodhim dhe programin e emituar, të përcaktohet procedura për përmirësimin e propozim-projektit deri në realizimin e pagesës së projektit që duhet të arsyetohet dhe mbështetur me harxhime reale”- deklaroi zëvendësministrja për Shoqëri Informatike, Marta Arsovka-Tomovska.
Gjatë debatit për propozim-ndryshimet, deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi, deklaroi se është e domosdoshme që në Ligj të përfshihen edhe portalet, pasi, sipas saj, një numër i madh i portaleve shpifin, duke shkelur privatësinë e personaliteteve të ndryshme.
“Mendoj se ka ardhur koha t’i jepet fund informacioneve tendencioze dhe të pabaza dhe jemi dëshmitarë se kohëve të fundit kjo dukuri është shtuar dhe çdo ditë shohim kinse lajme ekskluzive, ku gazetarët joprofesionistë merren më së shumti se ku hëngri darkë apo drekë deputeti apo një person tjetër zyrtar dhe nuk merren me lajme të cilat kanë të bëjnë me gazetari, bërjen profesionale”- tha deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi.
Ndaj ndryshimeve të Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale ka reaguar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila ka thënë se me këto ndryshime nuk mbrohet liria e shprehjes, por ato janë në shërbim të interesave të politikës ditore.
Nga SHGM-ja, thonë se në vend të rritjes së fondeve për mediet nga ana e Qeverisë, duhet të debatohet hapur për promovimin e fushatave të Qeverisë, e cila duhet të rregullohet me Ligj, në të cilin qartë do të definohet interesi publik i tyre, shpenzimi të jetë transparent dhe shpërndarja të bëhet në bazë të kritereve të qarta.
MEFAIL ISMAILI
