Maqedoni

Fabrika e falimentuar u ka 5.5 mln euro borxh, ish të punësuarit e OHIS-it protestë para qeverisë

17.05.2019 16:01

Ish të punësuarit në fabrikën OHIS sërish bllokuan rrugën para Qeverisë, nga ku kërkojnë zgjidhje të problemit...

Ish të punësuarit në fabrikën OHIS sërish bllokuan rrugën para Qeverisë, nga ku kërkojnë zgjidhje të problemit me pagat e mbetura borxh nga kjo fabrikë, e cila është në procedure falimentuese. Ata theksojnë se problematika e tyre po zgjat tash e plot 10 vjet, ndërsa kërkojnë t’u paguhen rrogat të cilat të mbledhura bashkë kapin shumën prej 5,5 milionë euro.
 
“Ne i kërkojmë ato rroga që na i kanë ndalur, kërkojmë të na kthehen ato, por këtu nuk na merr në dorë askush. E hedhin topin nga njëri te tjetri, ndërsa nuk ka asnjë efekt. Unë mendoj që në ato 40 vite stazh që kam, jo vetëm 24 rroga të mi japin, por mua më takon edhe një pjesë e OHIS-it, sepse kam dhënë kontribut 40 vite aty për ta formuar OHIS-in e jo për ta humbur”,- deklaroi ish i punësuari, Ilmi Kurti.
 
“24 rroga presin të marrin rreth 800 të punësuar, ndërsa afër 400 persona presin 8 rroga. Përgjegjësi falimentues ndan para për të cilat nuk jep asnjë dokumentacion se sa u takojnë të punësuarve. Kjo është një problem i madh, ne kemi kërkuar nga përgjegjësi falimentues raport të shkruar, pasi tani pritet të bëhet edhe turni i dytë i pagesave”,- tha ish i punësuari, Zdravko Volevski.
 
Ish të punësuarit në OHIS thonë se me vite të tëra trokasin nga njëra derë te tjetra, por askush deri më sot nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre. Ish të punësuarit theksojnë se kanë dyshime edhe për keqpërdorime në rastin e falimentimit të kompanisë, gjë për cilën edhe i kanë paraqitur para Komisionin për Anti-korrupsion.  
 
ZEKIRJA MEXHITI