Maqedoni
Kriza politike në Shqipëri, Meta: Secili të marrë përgjegjësitë e veta
17.05.2019 17:27
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka kërkuar politikës shqiptare t’i thërrasë mendjes e të gjejë vetë një zgjidhje për situatën politike....

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Rama se presidenti nuk e ka thirrur në dialog, kreu i shtetit tha se secili duhet të mbajë përgjegjësinë vetë dhe mos t’ia hedhë të tjerëve.
“Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Socialistët këmbëngulin se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe përkujtojnë se ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë ashpërsim dënimesh për këdo që prek votën.
“Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi”,- tha nënkryetari i partisë socialiste, Taulant Balla.
Sot janë mbushur 2 vjet që nga marrëveshja e 17 majit 2017, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha vendosën të krijojnë një qeveri të përbashkët. Dy vjet më pas, ata e kanë përjashtuar çdo marrëveshje të mundshme, edhe pse vendi është në kaos politik, një muaj para zgjedhjeve vendore.
LULJETA NDOKA
