Maqedoni

Ndryshimet në qeveri, asnjë lajm për takimin Zaev – Ahmeti. VMRO-DPMNE: Zaev ta fillojë “fshesën” nga deputetët

17.05.2019 17:42

Asnjë lajm nga partitë se kur do të mbahet takimi i shumëpërfolur për këtë të premte mes liderëve të LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit...

Opinioni ende pret të mësojë se kush janë funksionarët që nuk e kryen si duhet punën e tyre e do të duhet të lëshojnë karriget për pasardhësit e tyre më të aftë.
 
Edhe BDI është shprehur pro ndryshimeve, por në më shumë deklarime integristët janë kundër përdorimit të termit “fshesë” nga ana e kryeministrit. Funksionarët e BDI-së pranojnë ndryshimet, por vetëm nëse ato vijnë nga kreu i partisë së tyre.
 
Ende nuk dihet se kur dy liderët do të ulen të diskutojnë ndërrimet eventuale në ekzekutiv. Dihet vetëm se LSDM para se të merret me oborrin integrist, do të fillojë të pastrojë njëherë oborrin e saj.
 
Këtë e ka pohuar ditë më parë vetë kreu social-demokrat. Dhe opozita i rikujtoi sot kryeministrit të fillojë “të pastrojë” nga deputetët.
 
“Pavle Bogoevski ka pranuar se ka qenë në shoqëri me krimin e nëntokës dhe ai nuk gëzon më autoritet të deputetit, prandaj ai duhet shkarkuar”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Por, për dallim prej tyre, kryeministri Zaev mendon se të gjithë funksionarët janë në shërbim të qytetarëve dhe këtu nuk bëhet fjalë për propozime partiake.
 
Gjithsesi, partitë heshtin e nuk shpalosin se kush janë ministrat apo funksionarët që rrezikojnë të largohen. Pritet që ndryshimet e ministrave të ndodhin, sipas paralajmërimeve të kryeministrit, në qershor, ndërsa në korrik të fillojë të analizohet puna e kryetarëve të komunave. 
 
FITIM KRYEZIU