Maqedoni

Rasti “Lagja e Trimave”, avokatët: Terrorizmi, akuzë e gabuar

17.05.2019 18:26

Me dëshminë e avokatëve të Mbrojtjes, në Gjykatën e Apelit në Shkup ka vazhduar seanca publike për ankesat e 33 personave të gjykuar për rastin “Lagja e Trimave” në Kumanovë...

Avokatët e tyre kërkojnë anulimin vendimit të shkallës së parë. Avokati, Elenko Millanov, i cili mbron disa të akuzuar, tha se akuza për veprën penale “terrorizëm” ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor.
 
“Konsideroj se në rastin konkret e gjithë ajo që është prezantuar si dëshmi nuk ka argumente dhe fakte të mjaftueshme se kjo vërtet është vepër “terrorizëm”. Është pakontestueshme se ka intervenuar policia, në bazë të urdhrave. Dëshmi të qartë dhe precize se kush ka filluar i pari me intervenim nuk është theksuar gjatë procesit gjyqësor. Përderisa bërja e rezistencës ndaj intervenimit policor është krejtësisht tjetër vepër penale. Fakti i të vrarëve nga radhët e policisë së shtetit në atë aksion është kualifikimi i duhur juridik, vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 5, ku janë të parashikuar dënimet e njëjta”,- tha avokati,¬ Elenko Milanov.
 
Edhe avokati, Naser Raufi, thotë se nuk bëhet fjalë për veprën penale “terrorizëm”,  pasi që, sipas tij, për ekzistimin e veprës terrorizëm parakusht është që target të jenë civilët që sipas tij nuk është në rastin konkret.
 
Ai u ankua për shkelje gjatë procedurës në shkallën e parë, pasi që për dallim nga prokuroria, propozimet e palës mbrojtëse janë refuzuar nga gjykata teksa për avokatin, Ibraim Bajrami, procesi nuk do të stërzgjatej me kualifikimin e duhur juridik.
 
“Propozimet ishin për marrjen në pyetje të një numri të madh të dëshmitarëve të cilët kanë njohuri për këtë ngjarje. Propozim për dëshmitë materiale dhe ekspertizat, të cilat mund ta anulonin aktakuzën. Prokurorit publik iu lejua që në fund të procesit të prezantojë edhe CD si dëshmi materiale”,- tha avokati, Naser Raufi.
 
“Po të ishte kualifikimi i duhur juridik i aktakuzës, unë dhe avokatët e tjerë jemi të sigurtë që ky proces nuk do të zgjaste kaq shumë. Pra, nëse do të kishte kualifikim tjetër, edhe të akuzuarit që nga seanca e parë do të kishin qëndrim më ndryshe”,- u shpreh avokat¬i, Ibrahim Bajrami.
 
Pas dëgjimit të palës mbrojtëse dhe të Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor i Apelit pritet të marrë vendimin. 
 
NAIM RAMDNI