Maqedoni

Mungojnë 350 mjekë amë, Filipçe: Po marrim masa për rritjen e numrit. Shoqata e Mjekëve të Familjes: Të vërtetohen kompetencat e mjekëve amë

17.05.2019 18:49

Vendi po përballet me mungesën e mjekëve të nivelit primar...

Për momentin mungojnë rreth 350 mjekë familjarë, njoftoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Deri në vitin 2020, përmes masave të caktuara, do të fokusohemi në rritjen e numrit të mjekëve amë. Sipas tij, mjekët e rinj nuk duan të specializojnë mjekësinë familjare, pasi që për momentin ajo funksionon vetëm në nivelin privat.
 
“Me subvencionim të specializimit nga ana e shtetit mendojmë se do t’i nxisim ata që duan të jenë mjekë amë, fillimisht të kryejnë arsimimin dhe më pas të punojnë në nivel primar të mbrojtjes shëndetësore. Në mënyrë plotësuese duam që të lejojmë në vetë shtëpitë e shëndetit, përveç modelit me koncesion që kemi të lejojmë, përkatësisht të pranojmë mjek që do të jenë të specializuar në mjekësi familjare dhe do të punojnë si mjekë familjarë”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Por, për mjekësi primare cilësore duhet vërtetuar kompetencat e mjekëve që punojnë në këtë nivel, thonë nga Shoqatat e mjekëve të familjes.
 
“Që të kemi përkujdesje primare cilësore është e nevojshme që të diskutohet vërtetimi i kompetencave të mjekëve që punojnë në nivelin primar të kujdesit shëndetësor, lidhur me rekomandimin e medikamenteve, udhëzimet që tashmë po i diskutojmë me shoqatat profesionale dhe përcjellim deri te institucionet adekuate, me qëllim që të gjejmë shtigje të lehta të lëvizshmërinë të pacientëve në sistemin shëndetësor. Së pari duhet të përcaktojmë kompetencat në lidhje me atë drejtim dhe pastaj të negociojmë me Fondin Shëndetësor”,- tha kryetarja e Shoqatës për Mjekësi Familjare, Katerina Kovaçeviq.
 
Nga Qendra për Mjekësi Familjare njoftojnë se 330 specialistë të mjekësisë familjare dhe 80 mjekë janë në proces të riarsimimit dhe specializimit. Kjo shifër është e vogël, marrë parasysh faktin se në vend  punojnë rreth 1.500 mjekë amë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI