Maqedoni

Kërkesa për narko-test, Xhaferi: S’ka bazë juridike për testim të deputetëve

17.05.2019 19:14

Kryeparlamentari Xhaferi, pasi shqyrtoi nismën e Grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE-së...

Kryeparlamentari Xhaferi, pasi shqyrtoi nismën e Grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të mirë, për testim vullnetar për narkotikë të deputetëve u përgjigj se nuk ka bazë juridike për të lejuar një gjë të tillë.

“Kushtet për kandidimin, për zgjedhjen dhe për punën e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë qartë të përkufizuara dhe së këndejmi, kryetari i Kuvendit nuk mundet dhe nuk guxon të veprojë jashtë autorizimeve të veta ligjore. Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, neni 22, paragrafi 1, punëdhënësi doemos duhet të sigurojë kontrollime shëndetësore për të punësuarit më së paku çdo 24 muaj. Deputetët dhe të punësuarit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe të gjithë personat e punësuar në shtet, shkojnë në kontrolle të rregullta sistematike, që janë vërtetim për gjendjen e tyre shëndetësore. Kontrolli i fundit sistematik është realizuar në vitin 2017, ndërsa kontrolli i ardhshëm i rregullt sistematik do të realizohet gjatë këtij viti”,- thuhet në përgjigjen e Kuvendit.