Braktisi foshnjën e sapolindur, padi penale për 17-vjeçaren nga Shkupi
17-vjeçarja nga Shkupi, që para tri netësh braktisi foshnjën e saj në një park, do të përballet me veprën penale “braktisje e fëmijës së pafuqishëm”...

17-vjeçarja nga Shkupi, që para tri netësh braktisi foshnjën e saj në një park, do të përballet me veprën penale “braktisje e fëmijës së pafuqishëm”, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 200 të Kodit Penal.
Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup sqaron se 17 vjeçarja A .A., më 14 maj rreth orës 11:00 në bulevardin “Brigada Maqedonase - Kosovare”, ka braktisur foshnjën e saj të sapolindur në një park në afërsi të shtëpisë.
Bebja është gjetur nga një kalimtar i rastit i cili e ka njoftuar Ndihmën e Shpejtë dhe Policinë, të cilët më pas e dërguan foshnjën për përkujdesje në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ku është konstatuar se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Me urdhrin e Prokurorisë Themelore Publike – Shkup është bërë analiza krahasuese e ADN-së së 17 vjeçares me beben dhe është konstatuar se ajo është nëna biologjike e fëmijës së porsalindur.
Për foshnjën tanimë do të përkujdeset Qendra Meskomunale për Punë Sociale – Shkup.
