Maqedoni

Epidemia e fruthit, 134 raste vetëm brenda javës së kaluar

17.05.2019 20:30

Vazhdon të shtohet në numra rekord shifra e të sëmurëve nga fruthi...

Vetëm brenda javës së kaluar janë regjistruar 134 raste të reja, duke shënuar kështu numrin më të lartë në nivel javor që nga fillimi i epidemisë.

Shumica e rasteve vazhdojnë të shënohen në Tetovë e Kumanovë. Që nga fillimi i epidemisë e deri më tash ka arritur në 1524 raste.

Moshat më të prekura janë ato mbi 30 vjeç. Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se 70 për qind e të sëmurëve janë të pavaksinuar, me status të panjohur vaksinal, apo të pavaksinuar me dy doza.

Sipas epidemiologes, Gordana Kuzmanovska, numri nuk pritet të bjerë në këtë periudhë, pritet ndoshta ulje e numrit të fëmijëve të sëmurë me përfundimin e vitit shkollor.

Në Shkup ka ende rreth 2000 fëmijë të pavaksinuar. Që nga fillimi i kampanjës e deri më tash, në të gjithë territorin e vendit janë vaksinuar rreth 26,000 fëmijë të moshës nga 0 deri në 14 vjeç.