Botë

Merkel: Thirrje evropianëve, refuzoni me votë nacionalizmin

19.05.2019 19:14

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje evropianëve të refuzojnë me votë nacionalizmin në zgjedhjet e BE-së që do të mbahen javën e ardhshme....

 “Patriotizmi dhe Evropa nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, nacionalizmi po përpiqet të shkatërrojë Evropën dhe ne duhet ta luftojmë”, deklaroi Merkel në një tubim prej rreth 6,000 njerëzish në Zagreb të Kroacisë, ngjarjen e vetme të fushatës zgjedhore të Parlamentit Europian jashtë Gjermanisë.
 
Kancelarja gjermane iu referua përvojës së Kroacisë në luftërat e Ballkanit të viteve 1990, ndërsa përshëndeti Bashkimin Evropian si një faktor kyç në favor të paqes në kontinent.
 
“Evropa është një projekt paqeje. Ne kemi 74 vjet paqe në Gjermani. Ju keni pasur një luftë në vitet 1990, ju e dini se çfarë do të thotë paqe“, tha Merkel.
 
Kancelarja Merkel u shfaq në tubim së bashku me Manfred Weber, kandidatin për president të Komisionit Evropian të Aleancës së qendrës së djathtë të Partisë Popullore Evropiane dhe kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.