Egjipt, forcat e rendit vrasin 12 militantë islamikë
Ministria e Brendshme e Egjiptit ka njoftuar se forcat e sigurisë....

Ministria e Brendshme e Egjiptit ka njoftuar se forcat e sigurisë i kanë vrarë 12 militantë të dyshuar islamikë. Ky aksion erdhi një ditë pas shpërthimit afër një autobusi me turistë, nga i cili u lënduan 12 persona.
Një pajisje e mbushur me gozhda dhe copëza metali shpërtheu të dielën pranë një autobusi që ndodhej afër një muzeut të madh. Në autobus ndodheshin 25 turistë nga Afrika Jugore, të cilët po udhëtonin nga aeroporti drejt zonës së piramidave.
Ministria e Brendshme nuk konfirmoi nëse militantët e vrarë kishin lidhje me sulmin e së dielës, por tha se ata u vranë gjatë operacioneve të kërkimit të militantëve të grupit “Hasm”. Egjipti e akuzon këtë grup për lidhje me organizatën ilegale “Vëllazëria Myslimane”.
Autoritetet thanë se militantët u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ta, por nuk e bëri të ditur identitetin e tyre dhe nuk treguan nëse forcat e armatosura kanë pësuar ndonjë vrasje ose plagosje gjatë luftimeve.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Egjipitin për ekzekutime ilegale dhe shtypje të civilëve përmes gjykimit në gjykata ushtarake, shkruan “Reuters”.
