Tsipras i vë kushte Shqipërisë: Nuk ka negociata pa respektuar minoritetin grek
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka bërë të qartë për Tiranën zyrtare që të mos presë hapje të negociatave...

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka bërë të qartë për Tiranën zyrtare që të mos presë hapje të negociatave, nëse nuk respekton të drejtat e minoritetit grek.
“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të filluar proceset e pranimit të BE-së së bashku. Por, ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë”,- ka potencuar Tsipras në një intervistë për “Financial Times”.
Përveç minoritetit grek në Shqipëri, kryeministri grek është ndalur edhe në çështjet e tjera të pazgjidhura me Shqipërinë.
Teksa e cilësoi marrëveshjen e emrit të arritur me Maqedoninë e Veriut si historike për faktin e vështirësive që ajo mbarte në vetvete, kryeministri grek theksoi se e njëjta logjikë duhet të ndiqet edhe me Shqipërinë, duke përfshirë kufijtë detar, ligjin teknik të luftës që ka ekzistuar mes dy vendeve që nga viti 1945 si dhe statusin e minoritetit etnik grek, aktualisht të ngecura pas një dialogu premtues të nisur në nëntor të 2017-s.
