SHGM: T’i jepet fund lëndës kundër Kezharovskit
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon nga Prokuroria themelore...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon nga Prokuroria themelore dhe Gjykata Penale që të tërheqin, respektivisht të hedhin poshtë akuzën ndaj gazetarit, Tomisllav Kezharovski. ShGM do të insistojë për vendime të drejta nga Gjykata dhe Prokuroria, derisa Kezharovski të lirohet nga akuza.
“Kërkojmë që Prokuroria Themelore Publike të tërheqë akuzën kundër Kezharovksit, pasi ai është i akuzuar dhe i gjykuar padrejtësisht. Me një lëvizje të tillë, Prokuroria Themelore Publike do të tregojë se vendos në mënyrë të paanshme dhe në interes të drejtësisë. Kjo është mundësi e mirë edhe për Prokurorinë Publike, por edhe për Gjykatën Penale të vendosin drejtë dhe t’i japin fund lëndës që udhëhiqet kundër gazetarit, Tomisllav Kezharovski”,- tha kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
KEZHAROVSKI: NUK E KAM KRYER VEPRËN PËR TË CILËN U DËNOVA
Edhe gazetari Kezharovski pret gjykim të drejtë për rastin e tij.
“Me avokatin, Filip Medarovski, presim gjykim korrekt në të cilin do të mundemi deri në fund t’i potencojmë dëshmitë tona, se nuk e kam kryer atë vepër për të cilën isha i akuzuar dhe i dënuar”,- theksoi gazetari, Tomisllav Kezharovski.
Gjykata Supreme shfuqizoi vendimet e Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe Gjykatës së Apelit për rastin “Likuidimi” dhe lëndën e ktheu në rigjykim.
Kezharovski në 2013-n u dënua për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur, në një lëndë për të cilën më pas u vërtetua se në fakt dëshmitari i mbrojtur ishte dëshmitar i rrejshëm.
Kezharovski kaloi pesë muaj në paraburgim në burgun e Shkupit dhe më pas iu caktua paraburgim shtëpiak. (Flutura Latifi, TVM2)
