Bashkëpunimi Maqedonia e Veriut – Kosova, kuvendi votoi, njihen reciprokisht lejet për vozitje

20.05.2019 16:06

Me 76 vota për, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër...

Me 76 vota për, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, kuvendi miratoi Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Republikës së Kosovës për njohje reciproke të lejeve për vozitje.

“Konstatoj se kuvendi e miratoi Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohje reciproke të patentë shoferëve”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.

Avancimi dhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi operativ është në interes të përbashkët për dy vendet, tha zëvendësministri i jashtëm, Andrej Zhernovski.

“Në bazë të reciprocitetit, kjo marrëveshje do të mundësojë procedura efikase dhe të shpejta për pranimin e lejeve për vozitje të atyre që kanë vendbanim të lejuar apo të përkohshëm ligjor edhe në RMV edhe në Republikën e Kosovës”,- tha zëvendësministri i jashtëm, Andrej Zhernovski.

Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE pyeti zëvendësministrin e jashtëm për ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë dhe banorët e Gorës në Kosovë.

“Ka probleme më të mëdha të cilat kjo qeveri dëshmoi se nuk ka kapacitet. Nëse ka mundësi të marr përgjigje për aktivitetet rreth ndërtimit të autostradës Shkup - Bllacë dhe aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave identitare, kulturore të bashkatdhetarëve tanë në jugperëndim të Kosovës”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

“Janë siguruar mjete pikërisht nga instrumenti për Ballkanin Perëndimor që janë 20 milion euro për aksin e parë dhe 27 milion euro për aksin e dytë. Se vërtetë është ajo që thatë se është e nevojshme të ndërtohet ky aks dhe kur të mbyllet kjo pjesë e korridorit do të përfitojmë qarkullim më të madh të qytetarëve, por edhe funksionim më efikas të sektorit të biznesit”,- tha zëvendësministri i jashtëm, Andrej Zhernovski.

Mjetet financiare u ndahen atyre që përparojnë në procesin eurointegrues. Menjëherë pas marrjes së këtyre mjeteve të fillojmë me realizimin, tha Zhernovski. (Naim Ramadani, TVM2)