Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, 91 amendamente për Agjencinë për Siguri Nacionale
Anëtarët e Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri...

Anëtarët e Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri debatojnë për 91 amendamente mbi propozim ligjin për Agjencinë për Siguri Nacionale.
Midis tjerash, janë pranuar amendamentet të cilat parashikojnë që mandati i drejtorit dhe zëvendësit të Agjencisë të jetë 4 vite me të drejtën e rizgjedhjes, ndërkaq përvoja e punës e nevojshme për këto funksione nga 15 vite u ul në 12.
“Me nenet paraprake zvogëlohet hapësira e kandidatëve të mundur për drejtor. Konsideruam që ndoshta kriteret do të duhej të uleshin në 1 vit përvojë pune, meqë 12 vite përvojë pune nuk është pak. Megjithatë, edhe kjo shkon në interes të zgjedhjes së drejtorit më cilësor”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.
Përpos opozitës, 35 amendamente ka ngritur deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski. Ajo kërkoi që drejtori të pensionohet me 40 vite përvojë. Gjatë realizimit të mbikëqyrjes, që nënkupton grumbullim të fshehtë të të dhënave pa xhiruar zërin, Remenski kërkoi të bëhet edhe xhirimi i zërit. Kjo u refuzua nga ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
“Bëhet fjalë për fotoaparate, kamera të mbikëqyrjes të cilat gjithsesi se në mënyrë më precize rregullojnë formën e monitorimit. Por, mbikëqyrja e definuar në këtë formë nuk është e saktësuar që lë hapësirë për veprime të tjera që mund të zbatohen”,- tha deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
“Termi mbikëqyrje, i cili shfrytëzohet, është mbikëqyrje, por pa u kryer kurrfarë fotografimi, xhirimi ose duke përdorur çfarëdo teknike. Vetë neni i cili thotë: mbikëqyrje e fshehtë, ndjekje dhe xhirim vizual i personave, menjëherë përfshin Ligjin për ndjekjen e komunikimeve”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Propozim-ligji për Agjencinë për Siguri Nacionale duhet të miratohet me dy të tretat e votave. I njëjti është i kërkuar edhe nga Komisioni Europian që të mund në Raportin e progresit të konstatojë përparimet e vendit edhe në këtë fushë. (Meral Ismaili, TVM2)
