Forumi Ekonomik në Vjenë, Zaev: 2019-a, viti i zhvillimit ekonomik. Hahn: Investoni në RMV, ka punëtorë të gatshëm për sfida. Angjushev, Tevdovski dhe Ademi: Kohë e duhur që investuesit e huaj të vijnë në RMV
20.05.2019 16:42
Në Forumin Ekonomik të Vjenës u diskutua për perspektivat e reja të Maqedonisë së Veriut...

Kryeministri Zaev potencoi se viti 2019 do të jetë viti i ekonomisë si vazhdim i përparimit ekonomik të vitit të kaluar.
“Në vitin 2019, ne kemi vazhdim të rritjes së prodhimit industrial prej 8.8%, kryesisht falë prodhimit të makinave, automjeteve, pijeve dhe metaleve bazë. Ne kemi arritur të ulim papunësinë nën 20% prej se jemi në qeveri. Rritja ekonomike në vitin 2018 ishte 2.7%, pas një rritjeje prej 0.2% në vitin 2017. Eksportet në 3 muajt e parë të vitit 2019 janë rritur për 16.8%”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Eurokomisioneri Hahn theksoi se stabiliteti politik i Maqedonisë së Veriut është më i miri në rajon, inkurajoji kompanitë austriake të investojnë në vendin tonë.
“Vetëm mund t’ju ftoj të gjithë ju që të shihni drejt mundësive për të investuar në Maqedoninë e Veriut. Është një vend i vogël, ku ka njerëz mirë të arsimuar dhe të trajnuar të cilët janë gati të pranojnë sfidën”,- tha eurokomisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han.
Edhe zëvendëskryeministri Angjushev dhe ministrat Tevdovski dhe Ademi potencuan se Maqedonia e Veriut punon fuqishëm për një ekonomi të qëndrueshme me mbështetje për bizneset dhe me rini të arsimuar sipas nevojave të tregut.
“Jemi të kënaqur me rritjen në të gjitha sektorët vitin e kaluar, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se ekziston një hapësirë e madhe për përmirësimin e secilës prej tyre. Është e rëndësishme që sistemi i mbështetjes të jetë transparent dhe secili investitorë mund të llogarisë paraprakisht se sa mbështetje mund të presë nga shteti”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik pasqyrojnë gjithashtu përcaktimin tonë strategjik për t'u afruar me BE-në dhe për t'u bërë një shtet anëtar. Monedha jonë është e lidhur ngushtë me euron, me paritet të pandryshuar për më shumë se dy dekada, inflacioni është i ulët dhe i qëndrueshëm dhe buxheti deficitar rrallë tejkalon 3% të BPV ndërsa këtë vit ne presim një deficit prej 2.5%”,- u shpreh ministri i financave, Dragan Tevdovski.
“Përveç reformave në arsimin fillor dhe të lartë, bëjmë ndryshime të mëdha në fushën e arsimit të mesëm, me fokus në arsimin profesional. Me përkrahje të Bankës Botërore kemi përgatitur gjithsej 1040 programe të reja arsimore që bazohen në rezultate nga mësimi dhe vlerësimi në rezultatet e të mësuarit”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.
Në kuadër të forumit u potencua se Maqedonia e Veriut është e hapur dhe për investitorët e rinj ofron shumë kushte të volitshme.
GAZMEND KURTISHI
