Botë
Zgjedhjet në veri të Kosovës, Lista Serbe fiton në të katër komunat. Vuçiq: Serbët u unifikuan për interesat vitale. Thaçi: Zgjedhjet të suksesshme, sepse i organizon Kosova
20.05.2019 17:01
Lista Serbe ka fituar zgjedhjet në katër komunat në veriun e Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok...

Lista Serbe ka fituar zgjedhjet në katër komunat në veriun e Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke lënë pas kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhjet kaluan të qeta me pjesëmarrjen e 24 mijë e 600 votuesve nga rreth 58 mijë të regjistruar.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, fitoren e cilësoi si fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë, duke falënderuar ata që e ndihmuan të fitojë.
“Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”,- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Për presidentin serb, Vuçiq, fitorja e Listës Serbe në katër komunat veriore të Kosovës është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale.
“Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”,- tha Aleksandër Vuçiq, që përmes telefonit iu drejtuar serbëve të veriut të Kosovës.
Për autoritetet e Kosovës, zgjedhjet janë të lira e të suksesshme, sepse Kosova ka ndërtuar traditën e zgjedhjeve të suksesshme.
“Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”,- shkroi në profilin e tij presidenti, Hashim Thaçi.
Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, më 26 nëntor të vitit të shkuar dhanë dorëheqje, në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100% ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës.
Pas kësaj, presidenti i Kosovës shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme. Përfaqësuesit serbë vendosën sërish të marrin pjesë në këto zgjedhje pasi morën miratimin e Beogradit zyrtar.
ZEKIRJA MEXHITI
