Maqedoni

20 maji - Dita e Zjarrfikësve, nga 1 qershori edhe ekip mjekësor me zjarrfikësit

20.05.2019 17:16

Ata janë të gatshëm të hyjnë mes flakëve për të shpëtuar jetën e tjetrit...

Janë të gatshëm të jenë çdoherë aty ku ka më shumë nevojë. Janë zjarrfikësit, njerëzit e guximshëm që i japin një tjetër kuptim sakrificës për të shpëtuar tjetrin.
 
20 maji është dita e tyre. Tashmë në çdo aksion shpëtimi, prej 1 qershorit, me zjarrfikësit e Shkupit do të jenë edhe ekipet mjekësore, që ndihma e shpejtë të jepet menjëherë. 
 
“Kemi pasur gjithsej 801 ndërhyrje për shuarjen e zjarreve. Ndryshe nga viti i kaluar, shifra është dukshëm më e ulët. Ne duhet t'u kushtojmë vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të punës së zjarrfikësve. Nga 1 qershori me zjarrfikësit do të jetë i pranishëm edhe ekipi mjekësor, deri në fund të vitit do të ketë pilot program, ndërsa nga viti i ardhshëm mendojmë që të jetë në funksionon në brigadën tonë”,- tha komandanti i zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Vlladimir Simonovski.
 
Brigada Zjarrfikëse gjithsesi ka nevojë për pajisje të reja dhe moderne në përputhje me standardet evropiane.
 
“Kemi ndarë buxhet rreth 2 milion euro vetëm për mjete dhe për veturat. Qyteti i Shkupit ka ndarë 80 milion denarë për pagën e 13 të cilën nuk e kanë marrë viteve të fundit. Rritja e pagave varet nga bllok dotacionet që Qyteti i Shkupit i merr nga pushteti qendror”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Brigada zjarrfikëse në Shkup nga ky vit është më e pasur për 20 zjarrfikës të rinj dhe janë parashikuar edhe 50 vende të reja të punës.
 
REJHANE BUSHI-METAJ