Maqedoni
Negociatat me BE-në, Hahn: Bindim partnerët për dritë jeshile para verës. Zaev: Jemi shembull pozitiv, meritojmë vendim pozitiv. Zhbogar: Varet nga Raporti i progresit, por meritoni datë
20.05.2019 17:33
Komisioneri për zgjerim, Johan Hahn, e ka cilësuar Maqedoninë e Veriut si vend me stabilitet politik më të mirë në rajon...

Duke iu adresuar reformave që ka shënuar vendi dhe si shtet që nuk ka probleme të hapura me fqinjët, Hahn ka shprehur pritshmëritë e BE-së për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut datë për fillimin e bisedimeve.
“Situata politike në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, është më stabile nga të gjitha vendet e rajonit. Ne po punojmë shumë t’i bindim disa partnere hezituese të BE-së të na japin dritë jeshile për t’i filluar bisedimet, të përgatitemi t’i fillojmë bisedimet së shpejti dhe më lejoni t’ju them këtu në audiencë se besoj se kjo do të ndodh së shpejti, para verës, atëherë menjëherë do të fillojmë me fazën përgatitore dhe besoj se kah fundi i vitit do të mund t’i hapim kapitujt e parë, 23 dhe 24”,- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Kryeministri Zaev ka deklaruar se vendi ynë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE. Vendi është i përgatitur edhe politikisht edhe institucionalisht, është shprehur Zaev, duke shpresuar në dhënien e datës për fillimin e bisedimeve.
“Ne me të vërtetë meritojmë vendim pozitiv nga BE pas gjithë shembujve pozitivë që ndodhën në vendin tonë. Ne i dëshmuam Evropës se ne jemi me të vërtetë shtet që meriton fillimin e bisedimeve me BE-në, pas Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor vitin e kaluar, pas vendimit të Këshillit të BE-së vitin e kaluar dhe pas ftesës së NATO-s”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë, euroambasadori, Samuel Zhbogar, është shprehur se vendimi i vendeve anëtare të BE-së për dhënien e datës do të varet nga Raport progresi, për të cilin thotë se do të reflektojë pozitivisht tërë progresin që ka arritur vendi dhe shpreson që vendet anëtare të BE-së të sjellin vendim për fillimin e bisedimeve.
“Vendimin për fillimin e bisedimeve e marrin vendet anëtare të BE-së në bazë të Raportit të KE-së, ndërsa ky vendim duhet të ndodh në qershor dhe shpresojmë pikërisht që vendet anëtare ta marrin këtë vendim. Vlerësoj se vendi në vitin e kaluar me të vërtetë tregoi përkushtueshmërinë ndaj të ardhmes evropiane dhe reformave, si dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Zhbogar ka vlerësuar punën e përbashkët të qeverisë dhe opozitës për çështjet e rëndësishme, ndërsa thotë se me këtë gjendje politike vendi ka se me çka të lavdërohet para BE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
