Maqedoni
Dorëhiqen dy drejtorë, ende nuk dihet kë do të kapë “fshesa”. Osmani: “Fshesa” ofenduese, duhen adekuatë për vendet e duhura. VMRO-DPMNE: Ilaç rrobash për Bogoevskin, por ndërgjegjja nuk lahet
20.05.2019 17:52
Ende nuk dihet se cilët funksionarë do të preket nga ndryshimet në kabinetin e kryeministrit Zaev...

Nga funksioni për arsye personale dorëheqjen e kanë dhënë drejtuesit e dy institucioneve, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, Goran Trajkovski, dhe drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Katerina Stavriq.
Por, nuk është dhënë asnjë sqarim nëse dorëheqja e tyre është paralajmërim për “fshesën” e Zaevit në oborrin e tij. Ministri, Venko Filipçe, dorëheqjen e Stavriqit thotë se e ka pranuar që para zgjedhjeve.
“Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në kohën e fushatës zgjedhore ka dhënë dorëheqje dhe do të duhet të bisedoj me të njëjtën se për çka bëhet fjalë dhe a do të mbetet në qëndrimin e saj dhe nëse mbetet në të njëjtin qëndrim duhet të shihet emërimi i një drejtori të ri”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nga BDI vazhdojnë të këmbëngulin se termi “fshesë”, që po përdoret për të treguar ndryshimet në ekzekutiv, është tërësisht i papërshtatshëm.
Zëvendëskryeministri Osmani për TVM1 rikujton se nuk mund t’i ofendosh bashkëpunëtorët e deridjeshëm dhe nuk guxon që me ta të bësh shou politik.
“Me fshesë pastrohet papastërtia, ndërsa bashkëpunëtorët tanë nuk mund të jenë papastërti, edhe nëse nuk kanë dhënë rezultatet që janë pritur, sepse një funksionar nuk mund të japë efekt në një resor, por mund të japë në një resor tjetër. Unë e kuptoj se mund të kesh pakënaqësi ndaj disa individëve, por nuk mund t’i etiketosh bashkëpunëtorët tuaj si të tillë, apo të jenë pjesë e fshesës. Pyetja e individëve është pyetje e menaxhimit me resurset njerëzore dhe pyetja e partive politike se a thua dinë që personat adekuatë t’i vendosin në vendet e duhura”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Nga ana tjetër, opozita maqedonase VMRO-DPMNE vazhdon të kërkojë nga kryeministri që të fillojë pastrimin nga deputetët e tij.
Unioni i të rinjve të opozitës maqedonase i solli detergjent deputetit Bogoevski, duke i përkujtuar se me këtë pluhur të bardhë mund të lajë rrobat, por jo edhe ndërgjegjen.
“Pavle Bogoevski akoma mbetet deputet dhe nuk dëshiron të largohet, as për arsye morale e as për arsye shëndetësore. Ne nuk duam i zgjedhuri i qytetarëve të sjellë vendime të turbullta. Sot po të sjellim një kg ilaç rrobash, me të mund të lash rrobat, por dyshojmë se ai lan edhe ndërgjegjen”,- tha Sergej Popov nga VMRO-DPMNE.
Derisa opozita kërkon shkarkimin e deputetit të LSDM-së, opinion pret fjalët e liderëve të pushtetit. Dilemat e operacionit “fshesa” të Zoran Zaevit, apo rifreskimit të funksionarëve të Ali Ahmetit, pritet t’i pastrojë takimi mes tyre që duhet të realizohet së shpejti.
FITIM KRYEZIU
