Maqedoni

Dita Botërore e Bletëve, bletarët kërkojnë më shumë përkrahje

20.05.2019 18:09

Maqedonia e Veriut për herë të parë shënon sivjet Ditën Botërore të Bletës...

Ndryshimet klimatike, bujqësia intensive, pesticidet, ajri i ndotur janë një ndër shkaqet kryesore për rritjen e vdekshmërisë së tyre.
 
Bletarët kërkojnë përkrahje nga shteti për të shpëtuar bletët, duke përkujtuar se shpëtimi i tyre do të thotë të shpëtosh vetë planetin. Bletarët kërkojnë gjithashtu edhe kontroll të pesticideve.
 
“Kohëve të fundit është rritur tendenca e ngordhjes së bletëve dhe duhet patjetër ta ngremë zërin për shpëtimin e bletëve. Me shpëtimin e bletëve ne në realitet luftojmë për shpëtimin e planetit tokë”,- tha bletari, Goran Mitevski.
 
“Subvencionimi gjithashtu kontribuon që të rritet numri i familjeve që ruajnë bletë, njëkohësisht ndikon në rritjen e prodhimtarisë. Megjithatë, edhe kushtet klimatike kanë shumë rëndësi”,- u shpreh bletari, Pero Dabeski.
 
“Apeloj deri tek të gjithë prodhuesit të mendojnë se bletën nuk duhet ta helmojmë dhe nuk duhet t’i shfrytëzojmë preparatet e tilla në trajtimin e tyre, ka edhe preparate organike dhe pemëtarët  duhet në këtë rast të edukohen më shumë”,- theksoi kryetari i Shoqatës së Bletarëve të Maqedonisë, Mende Trajkovski.
 
“Bletaria është sferë që ka kontribut të madh në sektorin e bujqësisë dhe për ruajtjen e ambientit jetësor. Bletët jo vetëm që kontribuojnë në sigurinë e ushqimit, por kanë edhe një rol kyç për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe janë një lloj gurthemeli në mirëmbajtjen e zhvillimit”,- deklaroi ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Lupço Nikollovski.
 
Numri i familjeve që merren me bletari është rritur në tre vitet e fundit. Sipas të dhënave të fundit për subvencionet e raportuara për 2018, janë rreth 240 mijë  familje që ruajnë bletë.
 
Me mbështetjen teknike të Ministrisë sllovene të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit, do të punohet edhe për modelin për numërimin e familjeve që merren me bletari.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI