Ekonomi

Anketa - benzina, qytetarët të shqetësuar nga shtrenjtimi i naftës

21.05.2019 15:29

Pasi caktimi i çmimeve të derivateve të naftës mbeti në duart e kompanive, përkatësisht pompave të benzinës....

Pasi caktimi i çmimeve të derivateve të naftës mbeti në duart e kompanive, përkatësisht pompave të benzinës, është vërejtur rritje e çmimeve. Qytetarët ndjehen të shqetësuar për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, pasi kanë frikë se kjo mund të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve tjera. 
 
Në anketën e realizuar nga TVM2, qytetarët thonë se të ardhurat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jetë shumë të ulëta, ndërsa shpenzimet po rriten vazhdimisht. 
 
“Rritja e çmimit të derivateve duhet të shkojë në proporcion me standardin të cilin e kemi këtu, por mendoj se atë nuk e ka parasysh askush. E shoh se paralelisht kur rriten derivatet, rriten edhe tjerat asortimane. Mendoj se kjo nuk është në rregull. Në qoftë se rriten derivatet, le të rriten së paku edhe pagat”,- tha një qytetar.  
 
“Shumë i lartë çmimi, se jo pak. Për popullin a mendon dikush? Nuk mendon askush. Nuk i intereson askujt se si kalon, a ka me jetu apo jo”,- theksoi një qytetar. 
 
“Çmimet gjithnjë shkojnë lartë, asnjëherë nuk bien poshtë. Nuk pres që do të shkojnë shumë lartë, por gjithçka mund të pritet”,- u shpreh një qytetar. 
 
Nga KRRE kanë paralajmëruar se së shpejti do të miratojnë rregulloren e re, në bazë të së cilës do të përcaktohet çmimi i naftës, por deri atëherë gjithçka mbetet në vullnetin e kompanive.  
 
Kompanitë po vazhdojnë t’i diktojnë vetë çmimet e derivateve të naftës në pompat e benzinës. Sipas tyre, rritja e çmimeve të derivateve të naftës në pompat e benzinës është për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat botërore.     
                   
Kompania Makpetrol mbrëmë në ueb faqen e saj publikoi çmimet e reja të derivateve, sipas të cilave:
“Ultra 95+Economy do të shitet me 72,00 denarë për litër; Ultra 100 Race Pro do të shitet me 74,00 denarë për litër; Ultra Diesel Green Power do të shitet me 66,00 denarë për litër; Ultra Diesel Bio Power do të shitet me 67,00 denarë për litër; Vaji ekstra i lehtë do të shitet me 54,50 denarë për liter”.
 
Rritje të çmimeve ka pasur edhe nëpër pompat e benzinës të kompanive tjera.  
 
ERSAN PAJAZITI