Maqedoni

Bisedimet për fatin e PPS-së, Deskovska: Kërkesa për amnisti nuk guxon të kalojë. Zaev pret marrëveshje para 29 majit

21.05.2019 15:47

Partitë politike vazhdojnë komunikimin rreth projekt ligjit për Prokurorinë Publike...

Partitë politike vazhdojnë komunikimin rreth projekt ligjit për Prokurorinë Publike, me të cilin duhet të sanksionohet statusi i ri i Prokurorisë Speciale, por një takim i ri nuk është caktuar ende.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, e cila e udhëheq këtë proces, thotë se pret nga përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së që të binden se nuk mund të kalojë kërkesa e tyre që përmes dispozitave ligjore të sigurohet amnisti e fshehtë për kryes të verave penale. 
 
“Komunikim ka edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me partitë e tjera politike. Shpresojmë se do t’ia dalim të ndërtojmë konsensus, duke respektuar parimet që na janë dhënë nga BE, por që janë shumë të rëndësishme për sundimin e ligjit. Shpresoj se partitë politike po vetëdijesohen se kërkesa për amnisti nuk guxon dhe nuk mund të kalojë”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
 
Sipas Deskovskës, tani më është bërë praktikë që marrëveshjet arrihen në minutat e fundit, kështu që nuk përjashtoi mundësinë që edhe marrëveshja për këtë ligj të arrihet para mbylljes së raportit të progresit për Maqedoninë e Veriut. Edhe kryeministri Zaev është optimist. Sipas tij, s’duhet lënë asnjë arsye që data për fillimin e negociatave të shtyhet.     
 
“E di se dialogu po rrjedh, Ministria e Drejtësisë po e udhëheq procesin, e di se në momente të caktuara ka përafrime, përsëri ndalen në detaje, por procesi lëviz drejt përfundimit të suksesshëm. Mendoj se mundemi këto ditë, deri në shpalosjen e raportit më 29 maj, ta përmbyllim këtë proces dhe kushtimisht të them të dyja palët e procesit negociues të thonë se është arritur marrëveshje”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Lufta me krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, përkatësisht risanksionimi i statusit të Prokurorisë Speciale dhe pakoja e ligjeve që reformojnë shërbimet inteligjente janë kushtet kryesore që Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në.  
 
SHPËTIM NUREDINI