Maqedoni

Strategjia nacionale “Një shoqëri për të gjithë”, debat publik për të finalizuar dokumentin

21.05.2019 17:18

Qeveria Zaev, sikurse nga formimi, ashtu edhe në të ardhmen, politikat e saj do t’i bazojë mbi konceptin “Një shoqëri për të gjithë”...

Në debatin e parë publik të qeverisë për propozim tekstin e strategjisë nacionale për zhvillimin e këtij konceptit shumetnik dhe multikulturor, kryeministri, Zoran Zaev, tha se pas gjashtë muajve punë të strategjisë, ajo po hyn në fazën finale.
 
Sipas Zaevit, bëhet fjalë për një dokument të rëndësishëm për shtetit multietnik, i cili duhet të jetë model për shumë shtete të tjera. 
 
“Ky dokument, i cili do të plotësohet dhe përkryhet pas debateve publike, kur do të miratohet, do të jetë garanci për të identifikuar shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet shoqëria jonë e barabartë për të gjithë. Strategjia do të jetë udhërrëfyes për të realizuar vizionin tonë, pasi është pjesë e programit dhe prioritet strategjik i qeverisë për 2019-ën”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, tha se strategjia është tregues për zhvillimin e një shoqërie, ku qytetarët do të ndjehen të bashkuar dhe të sigurt.                                                                                                            
“Ky draft version përmban sugjerimet për ndërtimin e shoqërisë që plotësisht do të ngushtojë hapësirën e shovinizmit, vlerave të rreme dhe ndasive. Shteti ynë ende nuk është imun ndaj këtyre ndasive. Për fat të keq, këtu akoma ekzistojnë politika të caktuara të së kaluarës, të cilat ende promovojnë ndasi të rreme, e që në afat të gjatë mund të kenë pasoja serioze mbi shoqërinë tonë”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Albert Musliu nga sektori civil tha se vizioni i këtij dokumenti është të pranohen dallimet e qytetarëve, të trajtohen njëjtë para ligjit si dhe të përfshihen në mënyrë të barabartë në sfera të ndryshme të veprimit. 
 
“Komunikimi ndërkulturor nënkupton edhe sundimin e së drejtës, përfshirje sipas sistemit meritor të të gjithë spektrit të shoqërisë. Kështu do të ndryshohej koncepti i të menduarit për t’u shkëputur nga vlerat e vjetra dhe të kyçemi në një shoqëri ku të gjithë do të dimë se përfshirja absolute është sukses absolut për përparim”,- theksoi drejtori i “Asociacionit për Nisma Demokratike”, Albert Musliu.
 
Në prezantimin e projektit të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, aktivistë, qytetarë, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë. 
 
MERAL ISMAILI