Maqedoni

Kuvendi miraton pakon e ligjeve sociale, Shepanska: Rritet ndihma sociale për 300%. VMRO-DPMNE: U refuzuan amendamentet tona

21.05.2019 17:33

Kuvendi me shumicë votash miratoi pakon e ligjeve sociale, përkatësisht Propozim-ligjin për mbrojtje sociale...

Kuvendi me shumicë votash miratoi pakon e ligjeve sociale, përkatësisht Propozim-ligjin për mbrojtje sociale, Propozim-ligjin për siguri sociale për personat e moshuar, si dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, të gjithë këto me procedurë të shpejtë.
 
Në Ligjin për mbrojtje sociale do rritet ndihma financiare për personat në rrezik social, tha deputetja e LSDM-së, Jagoda Shapaska, e cila shtoi se “kjo pako siguron ndihmë minimale të garantuar, shtesa për fëmijë me pengesa në zhvillim, shtesa energjetike, shtesa fëmijërore dhe shtesa arsimore të cilat do të sigurojnë standard më të lartë jetësor për qytetarët”.                                                                               
“Ndihma sociale nga 3900 denarë sa ishte deri tani, do të rritet në 11 mijë denarë, respektivisht për 300 për qind. Po ashtu krijohet mundësi të përfshihen edhe 11 mijë amvisëri. Rritet edhe numri i personave që do të marrin shtesa fëmijërore dhe arsimore. Për dallim prej 3200 fëmijëve të cilët shfrytëzojnë shtesat fëmijërore, me këto shtesa do të përfshihen mbi 60 mijë fëmijë. Këto janë vetëm pjesë e masave në Ligjin e ri për mbrojtje sociale që kanë për qëllim tërheqjen e qytetarëve nga varfëria dhe me këtë reformë sigurojmë standard më të lartë për të gjithë qytetarët”,- deklaroi deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpaska.       
                                                       
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE akuzuan shumicën parlamentare të kryesuar nga LSDM, se punon kundër interesave të qytetarëve, me ç’rast u refuzuan katër amendamente.
 
Me amendamentin e nenit 42 propozimi ishte që personat që shfrytëzojnë ndihmë minimale të marrin  1000 denarë shtesë për energji elektrike në 12 muaj.
 
Amendamenti i nenit  45 parasheh rritjen e kompensimit për personat e shurdhër prej 4100 në 5200 deanarë, por edhe ky amendament u refuzua.
 
Po ashtu u shkurtua edhe e drejta për ndihmë nënave që kanë lindur fëmijën e katërt që nuk punojnë që të marrin pension në moshën 62-vjeçare.
 
Është koha e fundit që deputetët e LSDM-së të mos punojnë për interesat e ngushta partiake, por për qytetarët e vendit, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Asnjë nga amendamentet e VMRO-DPMNE-së nuk u pranua, ndërsa kjo e fundit ligjet e propozuara nga Qeveria i cilësoi si ligje populiste.
 
Ligjet në fjalë do të mundësojnë që rastet sociale të marrin rreth 12 mijë denarë në muaj, përfshi këtu shtesat fëmijërore.
 
Po ashtu personat e moshuar mbi 65 vjet do të marrin 100 euro pension social.
 
FLUTURA LATIFI