Maqedoni
Përplasje VMRO - LSDM për autostradat Shkup - Shtip dhe Kërçovë - Ohër
21.05.2019 18:02
VMRO-DPMNE dhe LSDM janë përplasur për ndërtimin e autostradave në vend...

VMRO-DPMNE ka akuzuar pushtetin e udhëhequr nga LSDM se ka ngecur në realizimin e programit për ndërtimin e autostradave në vend.
“Autostrada Shkup - Shtip duhej të vihej në funksionim më 1 maj 2017 dhe Kërçovë - Ohër duhej të përfundonte deri në fund të shkurtit 2018. Për fat të keq, vendi që nga viti 2017 është në duart e klanit kriminogjen LDSM, i cili vazhdon me traditën duke lënë prapa vetëm monumente dhe ekonomi të shkatërruar. Edhe BE ka vërejtur problem të madh lidhur me mosshpenzimin e buxhetit për investime kapitale që sjellin rritje reale në ekonomi, ndërsa huamarrja po rritet”,- u shpreh Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Nëpërmjet një kumtese me shkrim thuhet se qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja për vetëm një vit e gjysmë në infrastrukturë arriti të bëjë shumë më tepër se ajo që bëri VMRO-DPMNE për 11 vjet.
“Duke trashëguar autostradën Milladinovci - Shtip me shumë mangësi dhe e bënë më pak se 50%, për shkurt kohë autostrada është ndërtuar plotësisht. Për momentin janë duke u realizuar mbi 80 projekte për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve në gjatësi totale prej rreth 700 kilometrash. Ajo që është më e rëndësishme është se për herë të parë për këto 30 vjet po ndërtohen katër ura njëkohësisht. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, vazhdon me ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve sipas planit të udhëtimit në të gjithë vendin”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
NAIM RAMADANI
